RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri

lista-serbe-ben-thirrje-per-bojkotim-te-zgjedhjeve-ne-veri

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën, më 23 prill.

Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.

Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.

Për asnjërin prej këtyre pretendimeve, Lista Serbe nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste ato.

“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.

Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të votojnë.

Lista Serbe e ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje, me arsyetimin se Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.

Në këtë qëndrim, Lista Serbe ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në garë për kryetarë të komunave në veri janë 10 kandidatë – prej tyre vetëm një e komunitetit serb. Alleksandar Jabllonoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, edhe pse kandidatura e tij është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe, shkruan REL.

Shumica e 19 qendrave të votimit që do të hapen në veri, do të jenë të vendosura në kontejnerë, pasi struktura të mbështetura nga Beogradi nuk kanë lejuar hapjen e shkollave.

Related posts

Lirohen autobusët me qytetarë kosovarë të bllokuar në Serbi

RTI

Osmani ndan mirënjohje për studentët e Juridikut që dolën të tretët në garën prestigjioze

rezart morina

BE: Kërkesat për azil në nivelin më të lartë që nga viti 2016

admin