Përgjatë natës, Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në qytetin Krivi Rih në rajonin e Dnipropetrovsk të Ukrainës, tha guvernatori i këtij rajoni më 24 mars, teksa alarmet për sulme ajrore u lëshuan përgjatë gjithë vendit.
Në të njëjtën kohë, luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase u zhvilluan përreth qytetit lindor të Bakmutit.
Guvernatori Serhiy Lysak raportoi në Telegram se Krivi Rih ishte shënjestruar nga pesë dronë të prodhuar në Iran gjatë natës, por nuk raportoi për asnjë të lënduar. Ai përmendi gjithashtu se një dron iranian Shahed u rrëzua, së bashku me disa raketa ruse.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se forcat ruse vazhduan sulmin e tyre në Bakmut dhe rajonet e tij fqinje, duke nisur gjithsej 79 ofensiva gjatë 24 orëve të fundit.
Shumica e sulmeve të Rusisë kishin në shënjestër Bakmutin, qytetin në rajonin e Donjeckut, i cili ka qenë epiqendra e përpjekjeve të Moskës për muaj të tërë.
“Armiku vazhdoi të kryejë sulme të pasuksesshme në zona të tjera të Donjeckut – Liman, Avdivka, Marinka dhe Shaktarsk”, tha Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se luftimet ishin duke u zhvilluar në pjesë të rajoneve Zaporizhja dhe Kherson.
Më 23 mars, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi liderëve evropianë që të përshpejtojnë dhe rrisin furnizimin me armë, përfshirë raketa me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë.
Zelensky, i cili më herët gjatë ditës, vizitoi rajonin Kherson, tha se vonesat në dorëzimin e raketave me rreze të gjatë dhe avionëve luftarakë mund të zgjasin luftën.
“Koha është thelbësore. Jo vetëm muaj dhe javë, por ditë. Sa më shpejt të veprojmë së bashku, aq më shumë jetë shpëtojmë”, tha Zelensky.
“Nëse Evropa heziton, e keqja mund të ketë kohë të rigrupohet dhe të përgatitet për vite të tëra lufte”, shtoi ai, duke folur në një video-fjalim më 23 mars, drejtuar liderëve evropianë gjatë një samiti.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas takimit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të punojë me organizata të tjera për të gjetur fëmijët ukrainas të deportuar në Rusi dhe do të bëjë presion për kthimin e tyre.
“Është një kujtim i tmerrshëm i kohërave më të errëta të historisë sonë…të dëbosh fëmijët. Ky është një krim lufte”, tha ajo.
Gjykata Ndërkombëtare Penale javën e kaluar lëshoi urdhërarrestim për presidentin rus Vladimir Putin dhe Maria Lvova-Belova, një zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.
Zelensky përshëndeti gjithashtu miratimin nga ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së të një plani për dërgimin e Ukrainës me 1 milion municione artilerie brenda 12 muajve të ardhshëm.
Zelensky përshëndeti gjithashtu miratimin për 1 milionë municione artilerie brenda 12 muajve të ardhshëm, nga ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së.