RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

LVV mbetet e hapur për marrëveshje me partitë, pas pezullimit të bisedimeve nga LDK-ja

lvv-mbetet-e-hapur-per-marreveshje-me-partite,-pas-pezullimit-te-bisedimeve-nga-ldk-ja

Pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të pezulluar bisedimet për formimin e institucioneve të reja, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se mbeten të angazhuar për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje politike.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, në një përgjigje për Tëvë1, ka thënë se partia po vazhdon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje përmes takimeve dhe bashkëpunimit me partitë e tjera.

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë dhe konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje”, ka deklaruar Manxhuka.

Ai ka shprehur shpresën që opozita të mos e ndërpresë procesin e dialogut politik dhe që vendi të mos shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së.

Ndërkohë, LDK-ja ka bërë të ditur se zhvillimet e fundit kanë ndikuar në klimën politike dhe në procesin e diskutimeve ndërmjet partive.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të mërkurën se do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.

Në një mesazh drejtuar anëtarësisë, votuesve dhe qytetarëve të Kosovës, Abdixhiku ka thënë se zhvillimet e fundit e kanë detyruar të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.

Kujtojmë se më 10 korrik, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një takim në përpjekje për të arritur marrëveshje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit.

Takimi nuk solli përparim konkret, por të dy liderët deklaruan se synojnë t’i japin fund krizës institucionale dhe politike që ka prekur vendin për një periudhë të gjatë, duke shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ata u zotuan se do të vazhdonin bisedimet edhe në ditët në vijim.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve.

Për shkak të këtyre afateve kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit mund të thirret deri më 7 gusht.

Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdojnë procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Related posts

Aktakuzë ndaj pesë personave nga Prizreni – e detyruan viktimën të paguaj 20 mijë euro borxh në emër të kamatës

admin

Vrasje me armë zjarri në Shkodër, autori ekzekuton viktimën në banesë

Muhamet Ramadani

Presidentja e Kosovës, Osmani i kundërpërgjigjet ministres së Jashtme, Gërvallës me këngën tjetër të Dafina Zeqirit

admin