RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Macron zotohet të vazhdojë reformën e pensioneve, pavarësisht protestave

macron-zotohet-te-vazhdoje-reformen-e-pensioneve,-pavaresisht-protestave

Qindra mijëra vetë protestuan në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze të enjten ndërsa vazhdojnë grevat mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit, por presidenti Emmanuel Macron këmbënguli se ai do të vazhdojë me planet e reformave të pensioneve.

Grevat mbarëkombëtare shkaktuan ndërprerje të transportit, mësimit dhe shërbimeve e tjera publike në të gjithë Francën.

Gjatë një konference për shtyp në një takim të nivelit të lartë franko-spanjoll në Barcelonë të Spanjës, presidenti Macron tha se ” duhet ta bëjmë atë reformë” për të “shpëtuar” sistemin e pensioneve.

“Ne do ta bëjmë atë me respekt, në një frymë dialogu, por edhe me vendosmëri dhe përgjegjësi”, shtoi ai.

Ndërsa z. Macron mbante konferencën e shtypit, policia u kundërpërgjigj ndaj disa protestuesve që hodhën mjete plasëse gjatë një marshimi përgjithësisht paqësor në Paris. Gjendja duket se u rikthye shpejt nën kontroll.

Sipas rregullave të reja, punëtorët francezë do të duhet të punojnë më gjatë përpara se të dalin në pension– me moshën e pensionit që rritet nga 62 në 64. Në një vend me një popullsi të plakur dhe jetëgjatësi në rritje ku të gjithë marrin një pension shtetëror, qeveria e z.  Macron thotë se reforma është mënyra e vetme për ta mbajtur sistemin gjallë.

Sindikatat argumentojnë se rishikimi i pensioneve kërcënon të drejtat e fituara pas shumë përpjekjesh dhe propozojnë një taksë mbi të pasurit ose më shumë kontribute nga pagat e punëdhënësve për të financuar sistemin e pensioneve. Sondazhet sugjerojnë se shumica e francezëve janë gjithashtu kundër reformës.

Related posts

Vendet e NATO-s rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen

admin

Dy ish-ministra të mbrojtjes në Kinë përjashtohen nga Partia Komuniste, akuzohen se…

admin

Tre kryetarët e komunave veriore sot betohen në ndërtesa publike

rezart morina