Malajzia dënoi sot “në termat më të ashpra” inkursionin e fundit masiv në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar nga më shumë se një mijë okupues “të paligjshëm” izraelitë dhe zyrtarë të lartë izraelitë, transmeton Anadolu.
“Sulmi i qëllimshëm ndaj xhamisë Al-Aksa përbën shkelje të rëndë, minon ‘status quo’-në e vendosur historike dhe ligjore të Vendit të Shenjtë dhe është përpjekje e hapur për të krijuar një realitet të ri në terren”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Kuala Lumpurit.
Inkursionet e përsëritura nga okupuesit dhe zyrtarët e lartë izraelitë përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe “status quo”-s së vendosur historike dhe ligjore që qeveris xhaminë, shtoi deklarata.
“Këto akte nuk janë provokime të izoluara, por janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të regjimit sionist izraelit për të ndryshuar identitetin dhe karakterin e xhamisë Al-Aksa dhe Kudsit Lindor të pushtuar”, vazhdoi ajo.
Malajzia “kategorikisht” hedh poshtë çdo përpjekje të tillë dhe thekson se shenjtëria e xhamisë Al-Aksa dhe të drejtat fetare të besimtarëve muslimanë duhet të respektohen dhe mbështeten plotësisht.
Kuala Lumpuri i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndërmarrë veprime “urgjente dhe konkrete” për të detyruar “regjimin sionist izraelit” të ndërpresë menjëherë shkelje të tilla të qëllimshme dhe flagrante.
“Regjimi sionist izraelit duhet të mbahet përgjegjës për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të minuar ‘status quo’-në historike dhe ligjore në Al-Haram Al-Sharif”, thuhet më tej në deklaratë.
Malajzia riafirmoi solidaritetin e saj “të palëkundur” me popullin palestinez dhe të drejtën e tij të patjetërsueshme për vetëvendosje, duke përsëritur mbështetjen e saj të gjatë për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës bazuar në kufijtë para vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Qindra pushtues izraelitë bastisën kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar të hënën nën mbrojtjen e policisë izraelite gjatë festës hebraike Sukot.

