RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedoni e Veriut, dështon interpelanca ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi

maqedoni-e-veriut,-deshton-interpelanca-ndaj-kryeparlamentarit-afrim-gashi

Pas debatit që zgjati deri në orët e mbrëmjes në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot deputetët, me shumicë votash kundër, refuzuan interpelancën ndaj punës së kryeparlamentarit Afrim Gashi, të parashtruar nga partia “E Majta” (Levica), ku njëra ndër pikat ishte edhe shkelja e doktrinës së shtetit laik, raporton Anadolu.

Pas përfundimit të diskutimeve disaorëshe, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kaluan në votim, ku nga 107 ligjvënës të pranishëm, votuan 93, prej të cilëve 72 ishin kundër dhe 21 pro, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim.

Gjatë ditës, deputeti dhe kreu i kësaj partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, duke sqaruar arsyet e interpelancës së dorëzuar, tha se ajo është bazuar gjithsej në shtatë pika.

Duke folur për pikën e parë, shkelja e doktrinës së një shteti laik, Apasiev u shpreh se vetëm kjo është e mjaftueshme për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Gashi.

Apasiev u shpreh se shteti, sipas parimit të ndarjes së çështjeve fetare, duhet të ruajë neutralitetin e tij dhe të mos ndërhyjë në çështje të ndjeshme fetare, duke akuzuar Gashin se ka zhvilluar veprimtari fetare në Kuvend.

“Askush nuk është kundër jush që ndiheni si i krishterë për të praktikuar ritualet tuaja, ju që ndiheni si musliman për të praktikuar ritualet tuaja, dikush që ndihet si budist për të praktikuar ritualet e tij. Por, në një institucion publik, sipas Kushtetutës sonë, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, sipas juridiksionit të Strasburgut, është e papranueshme”, tha Apasiev.

– “Kjo është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit”

Kryeparlamentari Gashi në fjalimin e tij u shpreh se çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të japë llogari për veprimet e tij dhe falënderoi deputet që parashtruan këtë interpelancë, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë do të qartësohen të gjitha paqartësitë dhe shqetësimet.

Në lidhje me akuzat për shkelje të shekullarizmit, Gashi tha se në fakt bëhet fjalë për islamofobi dhe për akuza të pabaza.

Ai sqaroi se në interpelancë është theksuar një ngjarje e organizuar nga një organizatë joqeveritare në një sallë të Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari Gashi, me rastin e shënimit të 11 Korrikut, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Gashi u shpreh se në këtë ngjarje kishte një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat e Srebrenicës dhe kjo nuk përbën shkelje të shekularizmit.

“Në fund të këtij fjalimi mund të pohoj se këtu nuk bëhet fjalë për interpelancë ndaj Afrim Gashit, por ndaj një profili të funksionarit tjetër. Kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit, por është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit”, tha Gashi.

Pas fjalimit të tij, Gashi lëshoi sallën në mënyrë që të mos ndikojë në debatin dhe votimin për interpelancën.

Sipas rregullores së Kuvendit, debati për interpelancë mund të zgjasë një ditë dhe votimi duhet bërë brenda asaj dite, respektivisht deri në mesnatë.

Related posts

Kryeministri polak e paralajmëron Zelenskyn të mos e ofendojë më kurrë Poloninë

admin

Kurti : Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së

admin

SHBA, një profesor mbetet në spital pasi u rrah nga policia gjatë protestës pro-palestineze

rezart morina