Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, priti në takim kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të kabinetit presidencial, në takim është biseduar për procesin e transformimit, pajisjes dhe modernizimit të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe pjesëmarrjes në operacione dhe stërvitje ndërkombëtare.
“Bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, çështjet aktuale rajonale dhe të sigurisë, si dhe shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën në Ukrainë dhe rolin e Aleancës në mbrojtjen e popullit ukrainas nga agresioni ushtarak rus”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski ripohoi mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, humanitare dhe diplomatike në kuadër të mundësive të saj, me qëllimin përfundimtar ndalimin e agresionit ushtarak.
Pendarovski dhe Bauer konkluduan se Aleanca duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të mbështetur Ukrainën në mënyrë që të stabilizohet situata në gjithë hapësirën euroatlantike.
Presidenti Pendarovski shprehu gatishmëri për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe forcimin e aleancës së NATO-s në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta për siguri kolektive dhe paqe në kontinentin evropian.