Koordinimi në pikat kufitare mes Turqisë dhe Sirisë po përparon me shpejtësi, dhe marrëveshja për transportin tranzit pritet të hyjë plotësisht në fuqi brenda këtij muaji, tha Mazen Alloush, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Autoritetin e Përgjithshëm Sirian për Portet Tokësore dhe Detare.
“Alloush” deklaroi për agjencinë “Anadolu” se takimet me zyrtarët turq zhvillohen pothuajse çdo javë dhe se problemet zgjidhen përmes komunikimit të ndërsjellë. Ai falënderoi Ankaranë për mbështetjen që i ka dhënë Damaskut “që nga çlirimi” dhe theksoi se bashkëpunimi vazhdon në fushat e tregtisë, transportit dhe menaxhimit kufitar.
Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar në Stamboll në gusht ka filluar, dhe sistemi i ngarkesave tranzite do të përfundojë në nëntor. Vizat për shoferët sirianë do t’u jepen nga konsullata turke në Halep brenda 10 ditëve, ndërsa shoferët turq do të mund t’i marrin vizat drejtpërdrejt në kufi.
Autoritetet turke kanë marrë gjithashtu një vendim paraprak që lejon qytetarët sirianë me shtetësi të dyfishtë të hyjnë në Turqi me automjete me targa siriane.
Alloush tha se qëllimi është që shoferët sirianë të mund të udhëtojnë sërish drejt Rusisë, Gjeorgjisë, Ukrainës, Evropës dhe vendeve të Gjirit përmes Turqisë. Ai shtoi se ndihmat humanitare po kalojnë pa pengesa dhe se Turqia ka ofruar lehtësime të mëdha në këtë drejtim.
Që nga dhjetori 2024, janë përpunuar mbi 110 mijë kontejnerë në portet e Latakias dhe Tartusit, ndërsa eksportet kryesore janë fosfati dhe kafshët e gjalla.
Ai tha se korrupsioni dhe kontrabanda, të përhapura gjatë regjimit të mëparshëm, janë eliminuar dhe se çdo shërbim në porte është falas. Për të parandaluar trafikimin e drogës, janë vendosur ekipe me qen zbulues dhe pajisje moderne skanimi në të gjitha pikat kufitare.
Alloush përfundoi se kufijtë e Sirisë po modernizohen me teknologji të standardeve ndërkombëtare dhe se “vitin e ardhshëm të gjitha kufijtë do të jenë plotësisht funksionalë dhe ekonomikisht aktivë.” /mesazhi

