RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Marrëveshjet e Berlinit krijojnë lehtësira për njohjen e diplomave të Kosovës

marreveshjet-e-berlinit-krijojne-lehtesira-per-njohjen-e-diplomave-te-kosoves

Marrëveshjet e nënshkruara nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit, do të mundësojnë njohjen e diplomave universitare dhe mundësi punësimi në këto vende. Në një përgjigjeje për Radio Kosovën, Ministria e Arsimit thekson se, tashmë do të ketë procedura të thjeshtësuara për njohjen e tyre. Ndërsa, ekspertët thonë se lehtësira do të ketë edhe në ushtrimin e profesioneve.

Me njohjen e diplomave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të ketë shumë lehtësira për sa i përket shkëmbimit të studentëve, por edhe punësimit në këto vende të rajonit.

Zyrtarja për informim në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi, tha për Radio Kosovën se tashmë procedurat do të jenë më të thjeshta dhe se përmes marrëveshjeve që u nënshkruan në Berlin, do të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë si dhe profesionistët.

“Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit”, tha ajo.

Ndërsa, me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, Kutleshi sqaroi se bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve, të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje ua mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës”, tha ajo.

Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, tha për Radio Kosovën se njohja e diplomave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, është lajm jashtëzakonisht i mirë, derisa shpreson që ato të respektohen nga të gjitha shtetet.

“Njohja e diplomave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor është lajm jashtëzakonisht i mirë, dhe dëshmon shumë për përfitimet që qytetarët kanë nga proceset e integrimeve evropiane. Shpresoj shumë që marrëveshja të respektohet nga të gjitha shtetet përfituese, duke u kthyer kështu në një zgjidhje për një problem të kamotshëm, që ka kufizuar shumë integrimin rajonal dhe punën normal të shumë të rinjve’, tha ai.

Marrëveshjet në fjalë do të hyjnë në fuqi pasi ato të ratifikohen në parlamentet përkatëse të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Related posts

Erdoğan: E gjithë bota pa se si vr’asësi gje’nocidal u duartrokit në Kongresin amerikan

admin6

Më vdekjeprurësi në Rusi në gati 20 vite! Arrestohen 11 persona pas sulmit me mbi 90 viktima në Moskë, mes tyre 4 terroristët që kryen vrasjet

admin

Liban, Hezbollahu kryen stërvitje ushtarake pranë kufirit izraelit

rezart morina