Ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Igor Matoviç, i mbijetoi të martën një votë mosbesimi në parlament.
Matoviç është themeluesi dhe lideri i partisë më të madhe qeverisëse, “Njerëz të zakonshëm dhe Personalitete të Pavarura” (OLaNO).
Nëse ai nuk do t’i kishte mbijetuar votës së mosbesimit, do ta kishte zhytur koalicionin qeverisës në Bratislavë, në një krizë më të thellë, i cili tani është vetëm një qeveri e pakicës.
Nga 124 parlamentarët e pranishëm, 73 votuan në favor të mocionit të mosbesimit kundër Matoviç, vetëm tre më pak se shumica absolute e votave e kërkuar për ta rrëzuar atë.
Vetëm 45 deputetë votuan që ministri i Financave të qëndronte në detyrë.
Disa deputetë nga partia e tij nuk morën pjesë në votim, duke deklaruar paraprakisht se nuk donin të rrëzonin liderin e partisë së tyre, dhe as nuk donin t’i shprehin besimin e tyre.
Mocioni u paraqit nga partia liberale “Liria dhe Solidariteti”, e cila ishte vetë në qeveri deri vonë. /atsh