RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mbi 200 mijë kilogramë produkte të mishit u larguan nga tregu gjatë këtij viti, AUV-i ankohet për mungesë të kushteve dhe inspektorëve

mbi-200-mije-kilograme-produkte-te-mishit-u-larguan-nga-tregu-gjate-ketij-viti,-auv-i-ankohet-per-mungese-te-kushteve-dhe-inspektoreve

Rastet kur një produkt largohet nga tregu për shkak të dyshimeve në cilësi janë jo të rralla në Kosovë. Një gjë e tillë ndodhi ditë më parë me produktet e brendit “Wudy”, të cilat më pas u rikthyen në treg me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Kjo e fundit ka vendosur që të lejojë shitjen për konsum të produktit sallam “Woody” dhe virshlleve që kanë datën e skadimit pas 30 tetorit, pasi nuk janë të përfshira në lotet të cilat kanë qenë të infektuara me bakterin salmonella.

Ndërkohë, produktet e mishit dhe të qumështit janë rastet më të shpeshta që largohen dhe asgjësohen nga tregu vendor, pasi nuk i plotësojnë kushtet për konsum.

Nga AUV-i në një përgjigje për Telegrafin, bëjnë të ditur se gjatë këtij viti nga inspektorati sanitar janë asgjësuar 182 mijë e 686 kilogramë dhe 15 mijë e 193 litra produkte të qumështit.

“Ndërsa, sasia totale e produkteve të larguara nga tregu nga ana e inspektorëve veterinarë gjatë vitit 2022 është 204 mijë e 456 kilogramë mish dhe produkte mishi, 164 mijë e 158 kg/litra qumësht dhe produkte qumështi, 8 mijë e 238 vezë pule dhe 1 mijë e 652 kilogram mjaltë. Nga inspektorati fito-sanitar janë larguar nga tregu dhe asgjësuar 128 mijë e 315 kilogramë produkte”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndonëse thonë se i shqyrtojnë të gjitha ankesat që iu vijnë, nga AUV-i ankohen se kanë mungesë të kapaciteteve inspektuese, në raport me numrin e bizneseve si dhe fushën e gjerë të kontrollit.

“Planet tona nacionale për kontroll dhe mostrim përsëri vërtetojnë mungesën e kapaciteteve”, deklaruan nga Agjencia, duke shtuar se vështirësitë me të mëdha i kanë për shkak të mungesës së inspektorëve dhe automjeteve.

“Kemi numër të vogël të veturave dhe janë të vjetruara. Për inspektim vetura është mjet themelor. Duhet t’i mbulojmë të gjitha pikat inspektuese kufitare dhe terminalet doganore me inspektorë. Kontrolle në gjithë territorin e vendit për shëndet të kafshëve, bimëve dhe siguri ushqimore”, thuhet tutje.

Ndërsa, Selatin Kaçaniku nga Shoqata “Konsumatori”, thotë se AUV-i i ka siguruar se të gjitha prodhimet, mallrat e shërbimet ushqimore që i ofrohen qytetarit dhe familjes konsumatore janë të sigurta – konform direktivave të Bashkimit Evropian dhe ligjeve adekuate të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se kjo nuk mjafton pasi sipas tij, konsumatori në Kosovë shumë shpesh dëmtohet, abuzohet dhe i shkelen të drejtat.

Këtu ai fajëson institucionet dhe partitë politike, të cilat siç thotë, janë lobistë të bizneseve të caktuara, por jo të qytetarit.

“Qytetari dhe familja konsumatore e Republikës së Kosovës has në ‘befasi të shumta’. Ka dëmtime, abuzime, shkelje të të drejtave ligjore, demokratike, humane…e dinjitetit. Ndaj, ka edhe shumë ankesa, reagime, pakënaqësi edhe injorim e mospërfillje të të drejtave e obligimeve dhe e interesave si dhe i dinjitetit të konsumatorit”, deklaron Kaçaniku për Telegrafin.

“Shteti/institucionet, kryesisht politikanët në konflikt interesi, e kanë politizuar çdo institucion, agjenci, mekanizëm…bord e menaxhment të ndërmarrjeve publike, duke sabotuar kauzën e konsumatorit. Qeveria e Republikës së Kosovës akoma nuk e njeh qytetarin konsumator as familjen konsumatore – gjenerues kryesor të buxhetit të shtetit”, shprehet tutje ai.

Kaçaniku thotë se për shkak të injorimit total nga ana e institucioneve, asnjëherë nuk ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve as sa është dashur.

“Pra, shihet qartë se të gjitha legjislaturat e qeverive qëllimisht e kanë heshtur zërin e qytetarit/familjes konsumatore. Ato, kështu po e dëshmojnë se janë lobistë të bizneseve të caktuara, por jo të qytetarit/familjes konsumtore, konform mandatit dhe obligimeve kushtetuese, juridiko-ligjore, administrative, humane, demokratike, etike…”, shton ai.

Ndryshe, Bashkimi Evropian, në Raportet e Progresit ka konstatuar se në Kosovë ka pak progres në fushën e sigurisë ushqimore. Pjesë e këtij raporti është paraqitur edhe nevoja për të kompletuar legjislacionin që rregullon fushën e sigurisë së ushqimit. Po ashtu, është theksuar edhe mungesa e planeve afatgjata të kontrolleve për sigurinë e ushqimit.

Related posts

Erdoğan: Turqia ka treguar mbështetjen ndaj Palestinës me mbi 45 mijë tonë ndihma

RTI

Vritet një grua në Prishtinë

rezart morina

Hamasi: Izraeli nuk do të arrijë atë që nuk e arriti në 50 ditët e mëparshme

admin