RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mbi 300 punëtorë largohen vullnetarisht nga Telekomi

mbi-300-punetore-largohen-vullnetarisht-nga-telekomi

302 është numri total i punëtorëve që janë larguar vullnetarisht nga puna në Telekomin e Kosovës. Kjo është bërë e ditur pasi ka përfunduar procesi i verifikimit të aplikimeve të punëtorëve të Telekomit për shkëputje vullnetare të marrëdhënies së punës.

Kështu është bërë e ditur nga Telekomi, përmes një komunikate dërguar mediave të premten.

Në tri afate të aplikimit thuhet se largimin e kanë kërkuar 383 punëtorë.

Mirëpo, 27 prej tyre u është refuzuar aplikimi pasi që është konsideruar se largimi i tyre ka ndikim negativ në operimet e kompanisë dhe se zëvendësimi s’mund të bëhet nga stafi i brendshëm.

Gjithashtu, 11 aplikacione janë refuzuar për shkak të problemeve procedurale dhe 43 të tjerë kanë tërhequr aplikimet.

Në fund, janë miratuar 64 largime në pension të parakohshëm dhe 238 largime të menjëhershme në kuadër të pakos së dytë dalëse. Gjithsej 302.

Gjithashtu theksohet se ulja e shpenzimeve ka qenë ndër synimet kryesore strategjike të menaxhmentit të Telekomit këtë vit.

“Duke konstatuar, pas shumë hulumtimesh, analizash e diskutimesh të brendshme se një pjesë e madhe e stafit edhe përkundër përpjekjeve mbetet i paangazhuar dhe se me kontributin e tyre nuk i arsyetojnë shpenzimet që i ka kompania për pagat e tyre”.

“Si dhe duke marrë parasysh të drejtat e tyre ligjore dhe ikjen nga vendimmarrja subjektive, një nga idetë për uljen e këtyre shpenzimeve ishte oferta për largimin vullnetar të të punësuarve të cilët janë të zëvendësueshëm për kompaninë ndërkohë që ata shohin perspektivë për angazhime të tjera jashtë kompanisë”, thuhet në arsyetimin e pakove vullnetare dalëse.

Këtë vit Telekomi ua ofroi mundësinë punëtorëve të vet një “pako dalëse”.

Në këtë pako parashihej që kushdo që ishte paraparë të dilte në pension në katër vitet e ardhshme, të pensionohej para kohe dhe të përfitonte 60 për qind të pagës aktuale bruto në periudhën deri në pensionim.

Nga pakoja e dytë ishte ofrimi i 24 pagave bruto për këdo që ndërpret kontratën vullnetarisht.

Related posts

Nënsekretarja amerikane viziton Kosovën, detaje se çfarë diskutoi me Osmanin dhe Kurtin

admin

BE e pranon: Nuk mund të marrim veprime për sulmin në Banjskë, nëse…

admin

FOTO+VIDEO/ Habit Joe Biden, presidenti i SHBA vendos në kokë kapelën e Donald Trump! Ja pse e bëri këtë veprim

admin