Më shumë se 5.500 fëmijë janë zhvendosur së fundmi për shkak të luftimeve në qytetin strategjik El-Obeid, ndërsa mijëra të tjerë rrezikojnë të përballen me të njëjtin fat, ka paralajmëruar organizata humanitare Save the Children.
Sipas organizatës, familjet e zhvendosura po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira jetese. Shumë prej tyre nuk kanë qasje të mjaftueshme në strehim, ujë të pastër, shërbime shëndetësore dhe arsimore, ndërsa mbipopullimi në vendstrehimet e përkohshme po ushtron presion shtesë mbi burimet tashmë të kufizuara.
El-Obeid është qytet me mbi gjysmë milioni banorë dhe ka shërbyer si një qendër e rëndësishme humanitare për veriperëndimin e Sudanit. Ai është bërë një nga pikat kryesore të luftimeve në luftën civile mes Forcave të Armatosura të Sudanit dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), i cili kontrollon rajonin e Darfurit.
Qyteti, ku ndodhet Divizioni i 5-të i Këmbësorisë i ushtrisë sudaneze, është nën rrethim prej muajsh nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. Sulmet e intensifikuara me dronë kanë vrarë civilë dhe kanë shkatërruar infrastrukturën civile, duke shkaktuar mungesa të mëdha të karburantit dhe ujit.
Një banor i El-Obeid, Emad, tha se gjatë muajit qershor qyteti është goditur vazhdimisht nga sulmet me dronë. Sipas tij, janë goditur rreth 11 pika karburanti, cisterna me karburant dhe cisterna me ujë, duke e përkeqësuar ndjeshëm jetën e përditshme të banorëve.
Save the Children paralajmëroi se kushtet e rrethimit dhe mbipopullimi për shkak të zhvendosjeve kanë përkeqësuar edhe shpërthimin sezonal të kolerës. Sipas organizatës, Ministria Shtetërore e Shëndetësisë e Sudanit ka konfirmuar rreth 300 raste të sëmundjes.
Organizata shprehu shqetësim të veçantë për ndikimin psikologjik te fëmijët, shumë prej të cilëve kanë qenë dëshmitarë të dhunës, kanë humbur të afërm ose janë detyruar të largohen disa herë nga shtëpitë e tyre gjatë tre viteve të fundit.
Sipas Save the Children, fëmijët nën moshën 18-vjeçare përbëjnë rreth 55 për qind të popullsisë së zhvendosur në Sudan. Zëvendësdrejtori i organizatës për Sudanin, Francesco Lanino, tha se për fëmijët zhvendosja nuk nënkupton vetëm humbjen e shtëpisë, por edhe humbjen e qasjes në shkollë, kujdes shëndetësor, ujë të pastër dhe rrjete mbështetëse që u japin siguri.
Në tetor, pasi Forcat e Mbështetjes së Shpejtë morën kontrollin e kryeqytetit të Darfurit, El-Fasher, pas një rrethimi 18-mujor, organizatat për të drejtat e njeriut dokumentuan vrasje masive dhe dhunë seksuale ndaj civilëve, përfshirë fëmijët. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se El-Obeid mund të përballet me të njëjtin fat.
Të hënën, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që dënon sulmet në rritje të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë ndaj El-Obeid.
Lufta civile në Sudan shpërtheu në prill të vitit 2023, kur përplasja për pushtet mes Forcave të Armatosura të Sudanit dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë u shndërrua në konflikt të armatosur. Tashmë në vitin e katërt, lufta ka lënë mijëra të vrarë dhe ka detyruar rreth 4,4 milionë njerëz të largohen drejt vendeve fqinje.
Konflikti është shoqëruar me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë akuza për spastrim etnik dhe gjenocid. Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës ose për të arritur një armëpushim kanë dështuar deri më tani, ndërsa aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë janë akuzuar se kanë ndikuar në vazhdimin e konfliktit. Një nismë për proces paqeje e organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar u ndërpre pasi qeveria sudaneze e akuzoi atë për njëanshmëri në favor të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. /mesazhi

