Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se këtë vit mbi 61 mijë punëtorë e kanë lëshuar vendin.
Kurse sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar nga Kosova kanë ikur 43 mijë e 670 punëtorë.
Ai tha se Kosova ka mbetur pa punëtorë sepse shumë kompani janë drejt mbylljes e shumë të tjera po punojnë me 50% të kapaciteteve.
Azemi thotë se po mungojnë punëtorët e kualifikuar dhe se e vetmja rrugë e tyre po shihet largimi nga Kosova.
“Sipas të dhënave statistikore në vitin 2021 vendin e kanë lëshuar mbi 43 mijë e 670 punëtorë. Vetëm në periudhën janar-qershor të vitit 2022 mbi 61 mijë punëtorë që e kanë lëshuar vendin e tyre të punës”.
“Ne veç kemi mbetur pa punëtorë sepse shumë kompani punojnë me 50% të kapaciteteve që i kanë. Shumë kompani janë drejt mbylljes në mungesë të punëtorëve”.
“Punëtorë me kualifikime ata po mungojnë. Më e keqja është se orientimi i të kualifikuarve dhe të pakualifikuarve është ikja nga Kosova”, tha Azemi.