RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

“Mbi gjysma e punëtorëve në Kosovë punojnë 7 ditë në javë”

“mbi-gjysma-e-punetoreve-ne-kosove-punojne-7-dite-ne-jave”

Sipas dhënave preliminare të raportit statistikor, “Kushtet e punës në Kosovë 2022”, të Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), 56.1 për qind e punëtorëve në Kosovë, punojnë 7 ditë në javë.

Të dhënat që janë publikuar me rastin e lansimit të fushatës së Ministrisë së Financave, “Punë e denjë për një jetë të dinjitetshme”, tregojnë se 66.5 për qind e punëtorëve punojnë 8 orë në ditë, ndërsa 18.5 për qind punojnë nga 9-13 orë në ditë.

Të dhënat që janë nxjerrë pas intervistimit të 1200 personave, në pesë regjione të Kosovës, tregojnë se 38.5 për qind e punëtorëve punojnë 48 orë në javë, 11.1 për qind nuk kanë fare pauzë gjatë ditës ndërsa 62.6 për qind kanë pohuar se e kanë të caktuar nga punëdhënësi kohën e pauzës.

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se 21.9 për qind e punëtorëve shpesh janë të detyruar që të punojnë orë shtesë, ndërsa 36.3 për qind punojnë orë shtesë nganjëherë.

57 për qind e punëtorëve kanë deklaruar se nuk paguhen për punën shtesë, ndërsa 43 për qind kanë thënë se orët shtesë u paguhen.

Sipas të dhënave preliminare të këtij hulumtimi, 32 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë kontratë punës sipas të cilës iu paguhen kontributet pensionale, ndërsa 67 për qind kanë thënë se kanë kontrata.

30 për qind e të anketuarve kanë thënë se paga e tyre sillet nga 300 deri në 400 euro.

Sipas këtyre të dhënave, 24 për qind e të anketuarve nuk kanë kërkuar pushim mjekësor, 30 për qind e tyre kanë deklaruar se e kanë shfrytëzuar më pak se 12 ditë pune pushim vjetor ndërsa 37 për qind kanë thënë se kanë shfrytëzuar 12 ose më shumë ditë pune pushim vjetor.

Në ceremoninë ku janë prezantuar këto të dhëna, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë këmbëngulës në zbatimin e të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë orarin e punës, kompensimin, pushimin e sigurinë në punë.

“Ministria por edhe agjencitë kyçe janë duke kaluar në një seri reformash rregullative dhe institucionale, të cilat paralelisht vendosin rregulla që garantojnë punë të denjë dhe institucione njëkohësisht që sigurojnë zbatimin e këtyre rregullave. Për të siguruar qëndrueshmëri në realizimin e çfarëdo të drejte të punës, duhet të kemi bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me sektorin privat dhe respektivisht bizneset, të cilat si punëdhënësi kryesor i shtetit gëzojnë përgjegjësinë kryesore edhe për realizimin e këtyre të drejtave në vendin e punës”, ka theksuar Murati.

Fushata “Punë e denjë për një jetë të dinjitetshme”, do të zgjasë deri në maj të vitit të ardhshëm dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së punëtorëve e punëdhënësve për të drejtat e tyre.

Fushata është përkrahur nga Ambasada Suedeze.

Related posts

Ambasadori rus: Britania e Madhe është “pjesëmarrëse de-fakto” e luftës në Ukrainë

admin

Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

rezart morina

Lavrov: Rusia ka nisur dërgimin e drithërave në Afrikë

admin