Qendrat e votimit në zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit Republika Srpska u mbyllën të dielën në orën 19:00. Mbi 1,2 milion qytetarë kishin të drejtë vote në 2.211 qendra votimi.
Pjesëmarrja rezultoi e ulët, dukshëm më e ulët se në ciklet e mëparshme zgjedhore. Deri në orën 15:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës raportoi pjesëmarrje prej vetëm 26 për qind, krahasuar me 39 për qind në zgjedhjet e vitit 2022.
Koalicioni “Pod lupom” raportoi 24 raste të parregullsive më serioze, që përfshinin mungesë të materialeve zgjedhore, shkelje të heshtjes zgjedhore, presione ndaj votuesve, fotografim brenda qendrave të votimit dhe mosrespektim të procedurave për fletët e votimit.
Për pozitën e presidentit garuan gjashtë kandidatë:
Dragan Gjokanoviq, Branko Blanuša, Siniša Karan (SNSD – partia e Dodikut), Nikola Lazareviq, si dhe kandidatët e pavarur Igor Gašević dhe Slavko Dragičević.
Zgjedhjet pritet të kushtojnë rreth 3.3 milion euro. CIK regjistroi 639 vëzhgues, kryesisht nga organizatat joqeveritare dhe disa ndërkombëtarë.
Zgjedhjet u mbajtën pasi mandati i Milorad Dodikut u ndërpre me vendim të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila e dënoi me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim të funksioneve publike për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë. Ndëshkimin me burg ai e bleu kundrejt 18 mijë eurove.
Detyrën e presidentes së përkohshme e ushtron Ana Trišić Babić. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2026. /mesazhi

