RTV AHIRETI
Lajme

Më 4 mars do të inaugurohet Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë

me-4-mars-do-te-inaugurohet-baza-ajrore-taktike-e-nato-s-ne-kucove

Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se më 4 mars do të inaugurohet Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë, të Qarkut të Beratit, transmeton Anadolu.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, në një njoftim ka theksuar se pak ditë para ditës së inaugurimit, punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, për ta kthyer atë, sipas ministrisë, në një bazë taktike të NATO-s.

Sipas ministrisë, Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka deklaruar se ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa sipas tij më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, është shprehur Komandanti i Forcës Ajrore, Dimo.

Dimo ka sqaruar funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”, ka theksuar Dimo.

Sipas ministrisë, Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë Qarkut të Beratit.

Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s u zgjodh nga Aleanca për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.

Related posts

Zelensky do t’i drejtohet parlamentit zviceran

rezart morina

OKB: Sulmi izraelit në Rafah do të shkaktojë më shumë vuajtje dhe vdekje të civilëve

RTI

Osmani: Përdorimi i dhunës fizike është dëmi më i madh që mund t’u bëhet institucioneve

admin