Çështja e marrëdhënieve me Bullgarinë është temë e pashmangshme dhe sigurisht se diskutohet, veçanërisht me njerëz nga Këshilli dhe Komisioni, kështu është shprehur kryeministri Hristijan Mickoski, në intervistën për MIA-n nga Uashingtoni. Sipas Mickoskit lidhur me këtë çështje nuk duhet përshpejtuar por duhet vepruar me kujdes dhe maturi.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Natyrisht që atë temë e diskutojmë. Unë nuk jam nga ata njerëz që i bëjnë punët në politikë me ngut. Duke qenë i vetëdijshëm për realitetin, i vetëdijshëm për politikën e gabuar në të kaluarën nga qeveritë e mëparshme. Nga ana tjetër, pritjet e disa elementeve radikale në strukturën tonë për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat – kjo do ishte ideale nëse ne do të ishim vetëm në këtë botë, por ne nuk jemi vetë dhe duhet të luftojmë për të rifituar pozitat e humbura, të cilat në të kaluarën, për fat të keq, qeveria e mëparshme i ka minuar”.
Ai shton se në kuadër të asaj lufte ne gjithmonë prezantojmë argumente që janë qartësisht të kuptueshme metodologjikisht për bashkëbiseduesit.
“Jemi të gatshëm të argumentojmë, jemi të gatshëm, nëse argumentet e bashkëbiseduesit i mposhtin argumentet tona, t’i pranojmë ato. Nuk inatosemi, nuk jemi kokëfortë. Por, ajo që paraqet qëllimin tonë është strategjia jonë, të vërtën tonë e prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përmes një debati politik, një lufte politike në skenën ndërkombëtare të kthejmë një pjesë të pozicioneve që qeveritë e mëparshme na i kanë humbur “.
I pyetur se a priten në Nju Jork takime dhe bisedime lidhur me Bullgarinë, Mickosi ritheksoi se kjo temë është e pashmangshme dhe se siç thotë ai është normale që të diskutohet.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

