Trafikantë njerëzorë të gjitha llojeve kanë zbarkuar në Ukrainë me justifikime nga më naivet te ato më djallëzoret, për të shënjestruar fëmijë të dobët ose të pashoqëruar në kufirin Ukrainë-Poloni, thonë grupet që po ndihmojnë evakuimin e jetimoreve në zonat e rrezikuara.
Grupi i ndihmes ‘Aerial Recovery’ ka në përbërie aktivistë dhe veteranë të ushtrisë së SHBA dhe thotë se ka organizuar kalimin e rreth 200,000 fëmijëve nga jetimoret e Ukrainës drejt familjeve të përkohshme ne Evropë.
Por në shumë raportime flitet për situata kaotike dhe abuzime të panumërta në situata ku askush nuk kërkon llogari, ndërsa shumë prej të vegjëlve të pafat kanë rënë pre e trafikantëve njerëzorë.
Aerial Recovery, me ish-veteranë të SHBA që ndihmojnë njerëz në situata të rënda humanitare, thotë se po punon me autoritetet në Ukrainë për krijimin e një sistemi për regjistrimin e fëmijëve jetimë në Ukrainë, numri i të cilëve është dëshpërimisht i lartë.
“Qeveria nuk e ka kapacitetin për trajtuar këtë problem”, tha për BBC kreu i operacioneve Jeremy Locke.
Grupi po bashkëpunon me bamirësinë e refugjatëve ‘Salam’, por denoncon se fëmijët e sjellë në kufi po bëhen objekt rrëmbimesh nga trafikantë njerëzorë të djallezuar, të llojeve të ndryshme.
“Për fat të keq ata janë një pre e lehtë sepse kërkojnë ndihmë. Nëse je një i rritur që ke një strehim apo ushqim, vijnë me ty, ata nuk dinë më mirë”, tha aktivisti Martin Kvernbekk.
Ai shton se ka dëgjuar nga burime të ndryshme për fëmijë të humbur, për trafikantë njerëzish të veshur me jelekë ndriçues që pretendojnë se i përkasin organizatave të ndihmës, ose vetë organizata të dyshimta ndihme që nuk japin llogari për veprimet e tyre.
“Keqbërësit janë shumë të avancuar, janë rrjete të financuara mirë që e bëjnë këtë rregullisht në kohë lufte. Ata shfrytëzojnë kaosin dhe rrëmujën për të rrëmbyer mizorisht fëmijë e gra”, shton aktivisti.
Kvernbekk shton se burrat nga 18-60 vjeç nuk lejohet të dalin nga Ukraina sepse duhet të luftojnë, përveç burrave me tre ose më shumë fëmijë, por kontrollet nuk janë të sakta në kalimet kufitare.
“Nuk ka mënyrë për të kontrolluar nëse burri është i afërm i fëmijeve, çdo trafikant qeniesh njerëzore mund ta bëjë”, shton ai.
Më herët dhe komisionerja e BE, Ylva Johansson, shprehu shqetësimet për situatën e mjerë të fëmijëve. “Kemi raportime për kriminelë që marrin jetimë nga jetimoret dhe kalojnë kufirin duke pretenduar se janë të afërm të fëmijës, por në fakt i trafikojnë”.
Grupi Aerial Recovery po diskutonte plane për krijimin e protokollëve dhe zonave të sigurta për shërbimet e fëmijëve, mes të cilave u tha se autoritetet vendase pranojnë se rreth 5,000 fëmijë nuk dihet se ku janë.
“Askush nuk e di çfarë u ka ndodhur atyre, ose kanë qenë viktima të luftës ose kanë kaluar kufirin me trafikantë ose njerëz që i ndihmojnë në mënyrë të gabuar”, tha Locke për BBC. /tch