Mijëra myslimanë në qytetin Uxhain të Indisë kanë zhvilluar për të tretën natë radhazi një protestë kryesisht paqësore brenda dhe përreth Xhamisë Shahi, duke kundërshtuar planin për prishjen e një pjese të saj.
Protesta nisi pas mesnatës së së shtunës, më 26 shtator, pasi autoritetet lokale dërguan buldozerë për të prishur një pjesë rreth 10 metra të xhamisë. Në zonë janë vendosur rreth 2,000 policë dhe pjesëtarë të Forcave të Shpejta të Veprimit (RAF).
Banorët u mblodhën me shpejtësi pranë xhamisë, ndërsa qindra e më pas mijëra persona, përfshirë të rinj, të moshuar dhe gra, u ulën brenda sallës së namazit dhe në rrugë për të penguar hyrjen e makinerive.
Xhamia Shahi është pronë vakëfi dhe, sipas banorëve dhe historianëve, daton që nga viti 1390. Ajo konsiderohet një nga objektet më të vjetra të trashëgimisë islame në Uxhain. Projekti i prishjes prek një pjesë të sallës së faljes, minaren rreth 120 metra të lartë dhe kompleksin Mazhar Chowk.
Arsyeja e projektit
Autoritetet e Ujxhainit thonë se ndërhyrja është pjesë e projektit për zgjerimin e rrugëve në përgatitje për Simhastha Kumbh 2028, një tubim i madh hindu që zhvillohet çdo 12 vjet.
Korporata Komunale e Ujxhainit planifikon të zgjerojë një segment rrugor prej rreth 730 deri në 900 metrash në një rrugë me gjerësi 15 metra, me qëllim menaxhimin e numrit të madh të pelegrinëve që priten në vitin 2028.
Sipas autoriteteve, në të gjithë qytetin janë identifikuar 272 struktura për t’u hequr, ndërsa rreth 60 deri në 80 prej tyre janë objekte fetare përgjatë këtij segmenti.
Banorët dhe protestuesit kundërshtojnë mënyrën e përzgjedhjes së objekteve dhe thonë se ekzistojnë alternativa për zgjerimin e rrugës pa dëmtuar xhaminë historike.
Gjatë protestave të së dielës mbrëma pati tensione, ndërsa mediat lokale raportuan për hedhje gurësh dhe përdorimin e më shumë se një duzinë predhash gazi lotsjellës nga policia për shpërndarjen e turmës. Në zonë vazhdojnë të jenë të pranishme forca të shumta policore, barrikada dhe dronë për mbikëqyrje.
Përplasja ligjore
Çështja është gjithashtu në një proces gjyqësor. Më 9 shtator, Gjykata e Lartë e Madhya Pradesh në Indore hodhi poshtë dy kërkesa kundër njoftimeve të autoriteteve për prishjen, duke vlerësuar se veprimet ishin në përputhje me ligjin dhe në interesin publik për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë e pelegrinëve.
Ndërkohë, administratorët e xhamisë kanë paraqitur një kërkesë të re para një trupi më të gjerë gjyqtarësh. Avokati Zaid Pathan, nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile, ka deklaruar se po shqyrtohet edhe një ankim në Gjykatën Supreme të Indisë.
Pavarësisht pranisë së buldozerëve dhe forcave të shumta të sigurisë, deri të hënën pasdite xhamia ende nuk ishte prishur. Qindra myslimanë vazhdonin të qëndronin brenda saj në shenjë proteste dhe për të kundërshtuar ndërhyrjen e autoriteteve. /mesazhi

