RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ministri belg kërkon përdorimin e ligjit kundër terrorizmit ndaj festivalit që pret artistë pro-palestinezë

ministri-belg-kerkon-perdorimin-e-ligjit-kunder-terrorizmit-ndaj-festivalit-qe-pret-artiste-pro-palestineze

Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken ka sugjeruar përdorimin e dispozitave të reja kundër terrorizmit në vend ndaj festivalit “ManiFiesta”, i cili pritet të presë artistë dhe folës pro-palestinezë, duke shkaktuar debat politik, transmeton Anadolu.

“Që nga 1 shtatori, kodi i ri penal është në fuqi. Lavdërimi i terrorizmit tani dënohet”, tha Francken në një postim të martën në platformën amerikane të mediave sociale X. Më pas, ai vuri në shënjestër “ManiFiesta”-n, duke akuzuar festivalin se u jep hapësirë figurave të cilat, sipas tij, lavdërojnë terrorizmin ose kanë pikëpamje antisemitike.

Francken iu referua konkretisht komentatorit politik amerikan, Hasan Piker dhe reperit francez Medine, të cilët janë ndër figurat e lidhura me festivalin e këtij viti. Ai etiketoi në postimin e tij ministrin e Brendshëm, Bernard Quintin.

Deklaratat e ministrit Francken shkaktuan reagim nga Peter Mertens, deputet i Partisë së Punës së Belgjikës (PTB-PVDA), i cili e akuzoi ministrin e Mbrojtjes se po kërcënon me ndalimin e festivalit për shkak të mesazhit të tij politik.

“Çdo demokrat duhet të shqetësohet kur një ministër i Mbrojtjes kërcënon të ndalojë një festival thjesht sepse mesazhi i tij nuk i përshtatet”, tha Mertens në X. Mertens e përshkroi “ManiFiesta”-n si “festivalin e solidaritetit”, duke thënë se ai bashkon mijëra njerëz dhe të ftuar nga e gjithë bota.

Deputeti hodhi poshtë akuzat e Francken-it, duke e akuzuar atë se mbështetet në “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra të pacipa” dhe tha se përdorimi i ligjit kundër terrorizmit ndaj festivalit ishte “krejtësisht i pabesueshëm”.

“Nuk është thjesht patetike. Është e rrezikshme. Ja çfarë dëshiron vërtet Francken: të ndalojë plotësisht zërat e kundërshtimit shoqëror”, tha ai duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të diskreditojë lëvizjet shoqërore dhe opozitën politike.

Mertens e akuzoi më tej Francken-in se po ndjek atë që e përshkroi si një qasje “Trumpiste” ndaj kritikave politike, duke thënë: “Për Francken-in, çdo pengesë çon në një hap të ri drejt Trumpizmit: të mos i përgjigjesh kritikave, por të sulmosh zërat kundërshtues”.

“ManiFiesta” është një festival vjetor kulturor i organizuar në Belgjikë, i cili bashkon aktivistë politikë, artistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Programi i këtij viti përfshin figura si ish-presidenti kolumbian Gustavo Petro, këngëtari sirian Omar Souleyman dhe klarinetisti, saksofonisti dhe kompozitori palestinez Ahmed Hawwash.

Related posts

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

RTI

Sekretarja e Jashtme britanike: Ushqimi nuk duhet të përdoret kurrë si armë lufte

admin

“Bisedimet e armëpushimit të Gazës përballen me vështirësi, por ende janë në vazhdim”

Muhamet Ramadani