Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi të mërkurën se vrasja që ka ndodhur një ditë më parë brenda Shoqatës së të Shurdhërve, ishte e dhunshme.
Prokuroria njofton se viktima ka qenë anëtar i kësaj shoqate, ndërsa sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dal në vendngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.
“Prokurori kujdestar ka dal në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, thuhet se deri më tani nuk ka të identifikuar persona të dyshuar për këtë rast, por “prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që të identifikohet kryerësi i veprës penale ‘Vrasja’, me qëllim të arrestimit dhe vënies para drejtësisë”.
Reklama
Një 65-vjeçar me inicialet N.G u gjet pa shenja jete të martën brenda objektit të Shoqatës së të Shurdhërve në rrugën “Avni Shabani” në Mitrovicë.
Lajmi u bë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes një njoftimi publik.
“Sot, rreth orës 14:35, është raportuar se brenda objektit të Shoqatës së të Shurdhërve në rrugën “Avni Shabani” në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima N. G., 65 vjeçar”, thuhej në njoftimin e policisë.
“Bazuar në hetimet fillestare në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, me urdhër të prokurorit hetimet për rastin kanë nisur në drejtim të veprës penale vrasje”.
Tutje, u bë e ditur se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Reklama
“Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje”.