RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ministri danez i Mbrojtjes: Danimarka në pozitë më të mirë pas bisedimeve Rutte-Trump

ministri-danez-i-mbrojtjes:-danimarka-ne-pozite-me-te-mire-pas-bisedimeve-rutte-trump

Pas takimit të së mërkurës mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, Danimarka ndodhet në një “pozitë shumë më të mirë” sa i përket sovranitetit të saj mbi pjesë të mbretërisë, tha sot ministri danez i Mbrojtjes, transmeton Anadolu.

“Kemi një vijë të kuqe të qartë. Nuk do të heqim dorë nga sovraniteti mbi pjesë të Mbretërisë”, shkroi Troels Lund Poulsen në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

“Pa dyshim do të ketë edhe biseda të vështira me amerikanët, por pas takimit të së mërkurës mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe Donald Trumpit, sot jemi në një pozitë shumë më të mirë se dje. Jam shumë i kënaqur për këtë”, tha ai.

Poulsen shtoi se të mërkurën në mbrëmje ka zhvilluar disa biseda me Rutten, pas takimit të këtij të fundit me Trumpin.

Ai rikujtoi takimin e tij të fundit në Bruksel me Rutten dhe ministren e Jashtme të Grenlandës, Vivian Motzfeldt, më 19 janar, duke shtuar: “Ne i thamë Mark Ruttes cilat janë vijat e kuqe të Mbretërisë dhe besoj se takimi ynë ishte shumë i dobishëm për Rutten për të kuptuar qëndrimin e Mbretërisë”.

Poulsen theksoi se ndonëse Rutte nuk mund të negociojë në emër të Danimarkës apo Grenlandës, ai ka “punuar me besnikëri për unitetin brenda NATO-s”, duke mirëpritur planet e Aleancës për të forcuar sigurinë në dhe rreth Arktikut.

Rutte dhe Trump u takuan të mërkurën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, mes tensioneve të fundit mes Evropës dhe SHBA-së lidhur me Grenlandën. Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart e përshkroi takimin si “shumë produktiv”.

Më pas, Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se ishte krijuar një kornizë për një marrëveshje të mundshme që përfshin Grenlandën dhe rajonin më të gjerë të Arktikut. Presidenti amerikan ka shfaqur interes për Grenlandën për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të pasura minerare dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar me vendosmëri çdo propozim për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Related posts

Osmani takon Maqedoncin dhe Jasharin, diskutojnë për veprimet e Serbisë ndaj Kosovës

Muhamet Ramadani

Kosova dhe Serbia takohen më 2 maj në Bruksel, detajet që dihen deri tash rreth takimit

Muhamet Ramadani

Scholz në Kinë në një udhëtim të vështirë për Gjermaninë dhe BE-në

admin