RTV AHIRETI
Lajme

Ministri turk i Kulturës në hapjen e Xhamisë së Sulltan Muratit në Shkup të restauruar nga TIKA

ministri-turk-i-kultures-ne-hapjen-e-xhamise-se-sulltan-muratit-ne-shkup-te-restauruar-nga-tika

Ministri i Kulturës dhe i Turizmit i Türkiyes, Mehmet Nuri Ersoy, përuroi Xhaminë historike të Sulltan Muratit në Shkup, e cila u restaurua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu.

Ministri Ersoy erdhi në Xhaminë e Sulltan Muratit në kuadër të vizitës së tij në Maqedononë e Veriut.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së mbajtur para namazit të xhumasë, Ersoy tha se përcjell përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe të kombit turk për gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut me rastin e këtij bashkimi kuptimplotë.

Ai theksoi se këto troje kanë qenë gjithmonë të vlefshme dhe të veçanta për Türkiyen për shkak të historisë së përbashkët shekullore dhe gërshetimit me njëri-tjetrin. Prandaj, tha ai, asnjëherë nuk munden t’i injorojnë përvojat e përbashkëta qindravjeçare dhe vlerat kulturore të cilat i kanë kultivuar së bashku.

“Sot këtu nuk hapim vetëm xhaminë 587-vjeçare të Sulltan Muratit. Monumentet këtu janë në të njëjtën kohë simbol kulturor dhe vëllazëror i unitetit të rrënjosur thellë të popujve tanë që shpresojmë të vazhdojë edhe në shekujt e ardhshëm, të cilët do t’i përjetojmë së bashku dhe në të cilët do të qëndrojmë krah për krah. Është shumë, shumë e rëndësishme të ruajmë dhe forcojmë këtë vëllazëri. Këto nuk janë vetëm fjalë, përkundrazi, pas çdo fjale qëndron realiteti i Republikës së Türkiyes me veprat që i ka realizuar deri më sot”, u shpreh Ersoy.

Ai rikujtoi se TIKA në Maqedoninë e Veriut ka realizuar mbi 1.000 projekte deri më tani në fusha si shëndetësia, bujqësia, trajnimet profesionale dhe rritja e kapaciteteve institucionale.

“Nga Shkupi në Gostivar, nga Dojrani në Strumicë, nga Radovishi në Ohër, nga Tetova në Konçe, ne mund t’i shohim veprat e këtij bashkëpunimi në çdo cep të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ministri turk.

Ai theksoi se këto realizime nuk duhet përkufizuar në linja burokratike, politike dhe zyrtare, pasi, siç tha ai, ato janë bërë si nevojë e vëllazërisë me themele që datojnë në historinë e përbashkët dhe do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen.

Ersoy tha se deri më tani kanë kryer 24 punime restauruese për monumentet e kulturës në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se monumentet e restauruara nuk janë vetëm objekte historike, por kujtesë e njerëzve që kanë jetuar dhe jetojnë në këto troje.

Ministri turk falënderoi Maqedoninë e Veriut dhe popullin e saj për mbështetjen e ofrur pas tërmeteve të fuqishme që goditën rajonet jugore të Türkiyes në muajin shkurt.

Fjalë rasti në ceremoni kishte edhe zëvendëskryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes (Diyanet), Kadir Dinç, i cili përcolli urimet e kryetarit Ali Erbaş, për të cilin tha se nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje për shkak të programit të ngjeshur.

“Jam i lumtur që ndodhem në Maqedoninë e Veriut, vend mik dhe vëllazëror, me rastin e përurimit të Xhamisë së Sulltan Muratit, e cila iu besua Shkupit nga Sulltan Murati II në shenjë të vëllazërisë sonë, rrënjët e së cilës datojnë shekuj më parë si pjesëtarë të të njëjtit besim, të njëjtës fe dhe histori e kulturë të përbashkët, e që u restuarua nga TIKA në formën e përshtatshme me origjinalitetin e saj”, tha Dinç.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, falënderoi zyrtarët e TIKA-s që bënë restaurimin dhe shprehu gëzimin me rastin e hapjes së Xhamisë së Sulltan Muratit, e cila është një nga xhamitë simbol të periudhës së artë osmane, në ditë Ramazani dhe ditë xhumaje.

Ai tha se Xhamia e Sulltan Muratit ka qenë xhami qendrore që me shekuj ka qenë dhe është qendër edukimit islam në Shkup e më gjerë.

“Sot përsëri, falë agjencionit TIKA, përsëri u kthye në një bukuroshe të Maqedonisë së Veriut, por edhe bukuroshe të Ballkanit. Republika e Türkiyes, me institucionet e saj, me punën e palodhshme, arriti të rikthejë bukurinë marramendëse të kësaj xhamie historike, për të qëndruar stoike drejt ardhmërisë, për të përçuar fjalët e Zotit në zemrat dhe shpirtin e besimtarëve dhe njerëzve në përgjithësi”, tha Shaqiri.

Ai i shprehu falënderime të sinqerta edhe presidentit Erdoğan, i cili, siç tha ai, “mban kujdes të nivelit të lartë për ngritjen e vetëdijes së muslimanëve në botë, e në veçanti në vendin tonë, Ballkan dhe më gjerë”.

“Zoti e ndihmoftë në jetën e tij të begatshme”, u shpreh kreu i BFI-së.

Fetahu luti Allahun që t’i shpërblejë me xhenet viktimat e tërmetit që ndodhi në Türkiye në muajin shkurt, ndërsa familjeve t’u japë durim.

Pas fjalimeve, Mustafa Bodur, këshilltar i Shërbime Fetare në Ambasadën e Türkiyes në Shkup, bëri duanë e hapjes së xhamisë dhe më pas të pranishmit e falën namazin e xhumasë.

Related posts

Tajlanda heq regjimin e vizave për kosovarët

RTI

Rusia kërkon t’i bashkohet këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut

admin

Në sulmet izraelite në jug të Gazës u vranë 13 civilë, shumica fëmijë

rezart morina