Në Shkup, në kuadër të Takimit të Grave të Ballkanit të Këshillit Botëror Turk të Biznesit (DTIK), u zhvillua sesioni i veçantë me temë “Fuqia e gruas, e ardhmja e sipërmarrjes”, raporton Anadolu.
Në sesion morën pjesë ministrja turke e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktas, ministri i Shtetit i Maqedonisë së Veriut, Zulfikar Zeynula, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, përfaqësues të diasporës, gra sipërmarrëse turke që veprojnë në Ballkan dhe të ftuar të shumtë.
Në fjalën e saj, Goktas theksoi se sipërmarrja e grave është pjesë e pandashme e një modeli zhvillimi, duke theksuar se ajo kontribuon në forcimin e familjes, rritjen e mirëqenies së shoqërisë dhe krijimin e punësimit të qëndrueshëm, ndërsa u hap grave dyer të reja për të realizuar bizneset, pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Ajo tha se gratë sjellin këndvështrime të ndryshme në çdo fushë ku angazhohen dhe se kompanitë që përfshijnë gra në ekipet e tyre mund të përfitojnë nga një qasje më gjithëpërfshirëse. Goktas theksoi gjithashtu rëndësinë e ekuilibrit mes jetës profesionale dhe asaj familjare.
Duke iu referuar politikave të ndjekura nën udhëheqjen e oresidentit Recep Tayyip Erdoğan gjatë 24 viteve të fundit, Goktas tha se Turqia ka rritur mundësitë për gratë në drejtim të barazisë së mundësive dhe synon që shkalla e punësimit të grave të arrijë në 40,1 për qind në kuadër të Planit të 12-të të Zhvillimit.
Goktas tha se në Turqi janë krijuar shumë iniciativa dhe programe mbështetëse për gratë, ndërsa në portalin kadingirisimci.gov.tr janë mbledhur në një platformë të vetme të gjitha stimujt që mbështesin sipërmarrjen e grave.
Goktas u bëri thirrje grave sipërmarrëse që të shfrytëzojnë mundësitë dhe të jenë të vendosura për t’i kthyer historitë dhe ëndrrat e tyre në histori suksesi, duke siguruar se institucionet turke do të vazhdojnë t’i mbështesin.

