Pjesëtarët e ekipit të mjekësisë ligjore të EULEX-it të martën së bashku me homologët e tyre të Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML) i Kosovës, ishin për një vizitë të parë të përbashkët në një lokacion në Komunën e Novi-Pazarit, Serbi.
Siç njofton EULEX-i, vizita e përbashkët në terren u organizua pas planeve për punë në terren të rëna dakord në takimet e fundit të lehtësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC).
EULEX-i tha se i mirëpret përpjekjet e bëra nga palët e interesuara përkatëse për t’i zbatuar planet e dakorduara për punën në terren. “Ekspertët e mjekësisë ligjore të misionit vazhdojnë t’i mbështesin partnerët e tyre në IML dhe institucionet e tjera përkatëse për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur”, u tha në njoftim.
Delegacionet nga Komisioni i Qeverisë së Kosovës për persona të zhdukur, Komisioni i Serbisë për persona të zhdukur, Prokuroria e Serbisë për Krime të Luftës, ICRC dhe OJQ-ja e Kosovës Qendra Burimore për Persona të Zhdukur ishin gjithashtu të pranishëm.