Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilita, u shpreh e shqetësuar se vendi i saj mund të jetë objektivi i radhës i një pushtimi rus.
Ajo në një intervistë për CNN, tha se përparimi rus në drejtim të qytetit ukrainas Odesa, mund të çojë drejt kësaj.
“Ne jemi të shqetësuar. Rreziku ekziston. Është ende një skenar hipotetik, por nëse forcat ruse lëvizin drejt jugperëndimit dhe drejt Odesës, atëherë sigurisht që do të jemi shumë të shqetësuar”, tha kryeministrja e Moldavisë. “Është një situatë shumë e vështirë, jo vetëm për Moldavinë, por për çdo vend të vogël, çdo vend që mbështetet në rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla. Nëse një vend mund të fillojë një luftë aneksimi pa marrë parasysh ligjin ndërkombëtar, atëherë askush nuk është i sigurt”.
Sipas saj, Moldavia ka një “histori të vështirë në një rajon të ndërlikuar” të botës, duke shtuar se lufta në Ukrainë ka dëmtuar ekonominë e saj.
“Pas Ukrainës, Moldavia pësoi pasojat më të rënda ekonomike të luftës. Tashmë po përjetojmë inflacion shumë të lartë, në qershor ishte 32%”, përfundoi kryeministri.
Në Moldavi, është një territor, Transnistria, që kontrollohet nga rusët vendas të mbështetur nga Rusia. Është në kufi me Ukrainën dhe më herët është përmendur si pjesë e një plani të Rusisë për të lidhur edhe këtë pjesë me pjesët e pushtuara të Ukrainës. /koha