Finlanda bëri presion për ndalimin e hyrjes së turistëve rusë në Bashkimin Evropian, gjatë një takimi të nivelit të lartë me vendet e tjera nordike dhe Gjermaninë.
“Qytetarët rusë nuk e filluan luftën, por në të njëjtën kohë ne duhet të kuptojmë se ata e mbështesin atë”, tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin duke i bërë jehonë një thirrjeje të bërë ditë më parë nga Estonia.
“Unë nuk mendoj se është e drejtë që qytetarët rusë të mund të hyjnë në BE dhe në zonën Schengen si turistë dhe të shkojnë për të vizituar, ndërkohë që Rusia po vret njerëz në Ukrainë”, theksoi ajo.
Finlanda, e cila kufizohet me Rusinë dhe po i bashkohet NATO-s aleancës së sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, tashmë po shqyrton mënyrat për të kufizuar në mënyrë të njëanshme vizat turistike për qytetarët rusë.
Por, kancelari gjerman Olaf Scholz përsëri foli kundër një ndalimi të hyrjes në BE për rusët duke përmendur qytetarët që ikin nga regjimi i presidentit Vladimir Putin.
“Të gjitha vendimet që marrim nuk duhet ta bëjnë më të komplikuar për ta kërkimin e lirisë dhe largimin nga vendi për t’i shpëtuar diktatorit në Rusi”, tha ai.
“Nuk është lufta e popullit rus, është lufta e Putinit”, shtoi Scholz.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen tha se ideja duhet të diskutohet.
“Është e kuptueshme që disa evropianë, dhe ndoshta veçanërisht ukrainasit, e kanë të çuditshme që Rusia ka sulmuar një vend evropian dhe në të njëjtën kohë ne presim turistë nga një vend që ka sulmuar një vend tjetër”, tha ajo.
Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson tha se qeveria e saj nuk kishte krijuar ende një opinion.
“Ka argumente të forta nga të dyja palët”, tha ajo.
Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store, vendi i të cilit nuk është në BE, tha se vendi i tij do të mbështesë çdo veprim të përbashkët. /atsh