Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se ka pranuar 13 marrëveshjet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri, për të cilat kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka nënshkruar sot.
“Ju njoftojmë se sot i kemi pranuar 13 marrëveshje nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KosovaPress.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sot janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, 13 marrëveshjet që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.
Rama ka thënë se me këtë veprim ia ka hequr “merakun” Kurtit, dhe se shpreson që pas kësaj do të takohen.
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama.