RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Mungesa e punëtorëve detyron bujqit t’i zvogëlojnë të mbjellat

mungesa-e-punetoreve-detyron-bujqit-t’i-zvogelojne-te-mbjellat

Rritja e temperaturave në fillim të muajit maj i shtyu fermerët në Kosovë që të nxitojnë me mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore, por, qysh në fillim, shumë prej tyre u përballën me mungesë punëtorësh.

Zenë Haradinajn, nga fshati Stanoc i Epërm i Vushtrrisë, e përcolli fati i njëjtë.

Ai thotë se u vonua me mbjelljen e specave, domateve dhe trangujve në serën e tij nga pamundësia e gjetjes së dy punëtorëve, sa i duhen aktualisht.

“Kam qenë shumë i zënë me mbjelljen e misrit dhe grurit. Në mungesë të punëtorëve jam vonuar shumë në mbjelljen e serës… por, sido që të jetë, do ta mbjell vetë”, thotë Haradinaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se këtë vit i ka shkuar në mendje që të mos e mbjellë fare serën, pasi, siç thotë, me të njëjtën situatë është përballur edhe vitin e kaluar.

“Mua më duhen rregullisht dy [punëtorë], por shpeshherë edhe më shumë. Në kohën e vjeljeve më duhen më shumë se katër, por kush ishte për punë, ka ikur [jashtë vendit], e kush është këtu, merret me punë të tjera”, thotë ai.

Përkundër vështirësive për t’i kryer të gjitha punët me anëtarët e ngushtë të familjes, Haradinaj thotë se, këtë vit, përveç perimeve, ka vendosur të mbjellë edhe 23 hektarë misër dhe 12 hektarë grurë.

Kush punoi, iku

Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thotë se Haradinaj nuk është i vetmi fermer, i cili ka telashe të tilla.

Ai thotë se sektori i bujqësisë, gjatë tre vjetëve të fundit, është përballur vazhdimisht me ikjen e fuqisë punëtore, por jo vetëm.

“Janë larguar nga Kosova shumë të rinj në tre vjetët e fundit, jo vetëm punëtorë, por edhe pronarë e udhëheqës fermash, të cilët janë dekurajuar, qoftë për shkak të dështimeve apo edhe mungesës së mbështetjes”, thotë Tahiri.

Sipas Agjenicsë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021, mbi 42.000 banorë janë larguar nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

Arsyet e migrimit janë të llojllojshme, ndërsa në mesin e tyre bën pjesë edhe punësimi.

Shifrat e migrimit janë shqetësuese për sektorin e bujqësisë, thotë Tahiri, i cili parashikon vështirësi edhe më të mëdha për fermerët gjatë muajve dhe viteve në vijim.

“Kur vjen puna te vjeljet, për shembull te specat, domatet, trangujt, patatet, mjedrat, ka shumë probleme, sepse në vlugun e vjeljeve duhet shumë fuqi punëtore për t’i vjelë ato në kohën e caktuar, ndryshe prishen dhe nuk shiten”, thotë Tahiri.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), sipërfaqja e mbjellë me perime në Kosovë gjatë vitit 2021 ka përfshirë një hapësirë prej 19.399 hektarësh, ku janë prodhuar gjithsej 282.734 tonë perime.

Fermerët heqin dorë nga prodhimi i perimeve

Tahiri paralajmëron se sasia e prodhimit të perimeve mund të bjerë këtë vit, për shkak se fermerët kanë filluar ta kufizojnë sipërfaqen e mbjellë me to.

“Po shkohet drejt reduktimit të sipërfaqeve të mbjella pikërisht për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Pra, fermerët po mbjellin misër dhe grurë, pasi procesi është i mekanizuar dhe një person mund t’i kryejë të gjitha punët në çfarëdo sipërfaqeje”, thotë ai.

Reklama

Reduktimi i sipërfaqes së punuar është duke ndodhur tashmë në komunën e Rahovecit, konfirmon drejtori i bujqësisë në këtë komunë, Berat Duraku.

Ai thotë se fermerët janë duke hequr dorë nga prodhimi i perimeve, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

“Për shkak të mungesës së punëtorëve, shumë fermerë tanë kanë kaluar në prodhimin e drithërave. Do të thotë, na janë rritur sipërfaqet me drithëra dhe na ka rënë perimekultura”, thotë Duraku për Radion Evropa e Lirë.

Krahas perimekulturës, shton ai, janë duke rënë edhe vreshtaria dhe sektorë të tjerë të prodhimit.

“Rahoveci është i njohur për dy sektorë: perimtaria dhe vreshtaria. Vreshtaria është ajo që ka mbetur, që është e mbjellë dhe që do kujdes, ndonëse edhe vreshtaria ka filluar të bjerë në sipërfaqe, për shkak se nuk po ripërtërihen plantacionet e vjetruara. Njëjtë edhe perimtaria është duke rënë për shkak të ikjes së të rinjve”, thotë Duraku.

Si Duraku, ashtu edhe Tahiri thotë se reduktimi i prodhimit nëpër fermat e Kosovës do t’i hapë rrugë rritjes së importit.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar – duke importuar më shumë dhe eksportuar më pak – gjë që, siç thonë ekspertët, e pengon edhe rritjen ekonomike.

Aktualisht, institucionet qendrore e as komunale nuk duket se kanë ndonjë strategji se si t’i ndihmojnë fermerët në përballje me mungesën e fuqisë punëtore.

Radio Evropa Lirë ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëse ka ndonjë plan në këtë drejtim, por, deri në publikimin e këtij teksti, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Sektori i bujqësisë, në dy vjetët e fundit, është goditur edhe nga rritja e çmimit të naftës. Megjithatë, këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar ta subvencionojë naftën për bujqit e regjistruar që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt.

Në një postim të mëhershëm në rrjetet sociale, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shkruar se me çmimin aktual të naftës, “një bujk që ushtron aktivitetin e tij në mënyrë të rregullt, i regjistruar si subjekt formal, paguan vetëm 0.66 centë për 1 litër naftë, pasi përfiton 0.36 centë subvencionim në vlerë të akcizës dhe mund të përfitojë nga rimbursimi i TVSH-së”.

Sipas hulumtimeve të bëra nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, vështirësi në gjetjen e punëtorëve, përveç sektorit të bujqësisë, ka edhe ai i gastronomisë dhe i ndërtimit.

Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye, që, sipas Inspektoratit të Punës, lidhen me mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë, pagën e ulët e të tjera.

Paga minimale në Kosovë, nga viti 2011, është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas ASK-së, ka qenë 484 euro.

Related posts

Houthit njoftojnë se kanë sulmuar një anije në Detin e Kuq që po shkonte drejt Izraelit

admin

Baerbock: Gjermania nuk do ta pengojë Poloninë që t’i japë Ukrainës tanke

admin

Hovenier: SHBA dhe populli i Kosovës kanë lidhje të forta

rezart morina