Për shkak se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe mungoi edhe deputeti Mergim Lushtaku, është shtyrë seanca fillestare të mërkurën në rastin ku Bislimi e Lushtaku bashkë me deputetët Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu, akuzohen lidhur me rastin e përleshjes së ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, palët nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.
Kryetari i trupit gjykues, Eroll Gashi tha se Bislimi ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Ai shtoi se i dëmtuari- ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk ka qenë i qasshëm.
Në seancë mungoi edhe Mergim Lushtaku, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Faton Fetahu, ka treguar se i njëjti nuk mungon për arsye të angazhimeve në Kuvend, por për shkak të mosdërgimit të shkresave të lëndës, përfshirë edhe aktakuzën.
Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë./BetimipërDrejtësi.