RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Dy milionë njerëz në Gaza po përpiqen të mbrohen nga uria, sëmundjet dhe bombardimet izraelite”

“dy-milione-njerez-ne-gaza-po-perpiqen-te-mbrohen-nga-uria,-semundjet-dhe-bombardimet-izraelite”

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se dy milionë njerëz që nuk kanë siguri në Gaza po përpiqen të mbrohen kundër urisë, sëmundjeve dhe bombardimeve të pamëshirshme izraelite, raporton Anadolu.

Guterres foli në seancën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për “Sigurinë njerëzore”.

Ai theksoi se po kalohet në një periudhë ku pasiguria dhe trazirat janë në rritje.

“Kur dëgjoj shprehjen siguri njerëzore, mendoj për dy milionë njerëz në Gaza që nuk kanë asnjë siguri dhe po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të mbrohen nga uria, sëmundjet dhe bombardimet e pamëshirshme izraelite”, tha Guterres.

Shefi i OKB-së theksoi se asgjë nuk mund ta paraqesë të drejtë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez në Gaza dhe rikujtoi se me punonjësit e grupit ‘World Central Kitchen’ (WCK), që humbën jetën dje si rezultat i sulmit izraelit në Gaza, janë vrarë gjithsej 196 punonjës të ndihmës humanitare, prej të cilëve 171 janë punonjës të OKB-së.

“Kjo është e pandërgjegjshme, por është një pasojë e pashmangshme e mënyrës se si po zhvillohet lufta”, tha Guterres, i cili bëri thirrje për zbatimin e vendimit të marrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së javën e kaluar për një “armëpushim urgjent humanitar në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare”.

– Vrasja e punonjësve të WCK-së

Punonjësit e organizatës ndërkombëtare të ndihmës WCK humbën jetën në sulmin që Izraeli kreu të hënën në rajonin Deir al-Belah në Gaza.

WCK-ja me seli në Washington njoftoi se shtatë punonjës të saj kanë vdekur në sulmin izraelit në Gaza.

Në njoftimin e grupit thuhet se punonjësit që humbën jetën ishin shtetas australianë, polakë, britanikë, amerikano-kanadezë dhe palestinezë dhe se ekipi gjatë sulmit ndodhej në zonën pa konflikte, me dy automjete të blinduara që mbanin logon e organizatës.

Related posts

Rama thirrje BE-së: Liberalizoni vizat për Kosovën

admin

Dyshohet se vrau 21-vjeçaren në Ferizaj, burri paraqitet para gjykatës (VIDEO)

admin

Nis asfaltimi i rrugës ndërkufitare, mes Kosovës e Shqipërisë

rezart morina