RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Muzeu hebraik në Vlorë, si goditje dhe ndaj atit të Pavarësisë

muzeu-hebraik-ne-vlore,-si-goditje-dhe-ndaj-atit-te-pavaresise

Kritika për stilin e një godine me Izrael brenda që do kalërojë mbi historinë kombëtare

Muzeu hebraik që po ndërtohet në Vlorë, veç nonsenseve të shumta, është i diskutueshëm dhe në stil. Së fundi, është zëri profesionist i një arkitekti që hedh kritika ndaj këtij muzeu plot hije, pjesë e një invazioni izraelit në Shqipëri, duke u nisur ky projekt djallëzor pikërisht nga Vlora.

Elis Baba, arkitekt, hedh këtë kritikë:

A po humbet në sfond godina e Ismail Qemalit?

Analizë mbi ndërhyrjen e re pranë Muzeut Etnografik, ish-Klubi “Labëria”, Monument Kulture i Kategorisë I.

Nuk po hyj në këtë shkrim në diskutimin mbi llojin, funksionin apo përmbajtjen e muzeut të ri — ky është një debat më vete. Po e trajtoj çështjen vetëm nga këndvështrimi im si arkitekt, në raport me trashëgiminë kulturore, strukturën historike të qytetit dhe mënyrën se si një ndërhyrje e re duhet të bashkëjetojë me të.

Një bërthamë historike nuk mund të trajtohet si parcelë e vemtuar

Në një zonë historike, vlera nuk qëndron vetëm te ndërtesat e marra një nga një, por te marrëdhënia midis tyre: volumet, lartësitë, shkalla, boshllëqet, perspektivat dhe mënyra se si ato formojnë një ansambël urban.

Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja pranë Muzeut Etnografik nuk duhet parë si projekt për një parcelë të veçuar. Duhet studiuar i gjithë blloku historik si një tërësi, në mënyrë që çdo ndërhyrje e re të përshtatet me strukturën ekzistuese dhe të mos e shpërfytyrojë atë.

Problemi nuk është vetëm se çfarë ndërtohet, por çfarë i ndodh tërësisë historike pas ndërtimit.

Hierarkia dhe marrëdhënia me monumentin duhet të dialogojë, jo të mbulojë!

Nuk po flasim për një bllok ndërrtimesh me shtrirje në të gjithë qytetin, por për një grup të kufizuar godinash brenda Zonës Arkeologjike “B”, të citojnë e marrin forcë pikërisht nga bashkë-ekzistenca e tyre si një strukturë e vetme arkitokturne, urbanistike dhe kulturore. Në një ansambël të tillë të brishtë, shpërfytyrimi apo tjetërsimi i njërës gjysmë dëmton rëndë dhe tjetërson menjëherë edhe pjesën tjetër.

Arkitektura bashkëkohore mund dhe duhet të ndërhyjë pranë monumenteve – kur është e menduar mirë, ajo e nxjerr më shumë në pah të vjetrën. Por në projektin e paraqitur, mjafton t’i shohësh pamjet me vëmendje dhe nuk ka nevojë të jesh arkitekt për të kuptuar se ndërtimi i ri nuk po e respekton fare kontekstin. Përkundrazi, ai duket sikur po mundohet ta fshehë e ta mbulojë atë përmes dy ndërhyrjeve agresive vizuale:

Volumi i ri mbi nivelin e ndërtesës historike (kati shtesë), i cili ngrihet në lartësi, duke tjetërsuar siluetën e sfondin e monumentit dhe duke u bërë objekti më i lartë ndër ato historike.

Objekti i ri bashkëkohor, formë “plastike” i vendosur përpara ansamblit në shesh, i cili shtohet direkt në fushëpamjen kryesore nga sheshi, duke krijuar një masë që zëvendëson leximin e zonës historike.

Çështja këtu është shkalla, pozicionimi dhe volumetria. Pyetja nuk është vetëm “A është i mirë objekti i ri?”, por “Çfarë i bën ky objekt monumentit që ka pranë?”

Nëse ndërhyrja e re ndryshon siluetën dhe hierarkinë vizuale, ndikimi mbi trashëgiminë është i pakthyeshëm – edhe nëse asnjë gur i ndërtesës historike nuk preket fizikisht. E reja duhet të nxjerrë në pah të vjetrën, jo ta mbulojë apo ta fshehë atë.

Çfarë po i ofrojmë turistit kulturor dhe artistik?

Vlora ka zyrtarisht vetëm 3 muze në të gjithë territorin e saj: Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik (pikërisht në godinën ngjitur me kantierin). Muzeu i katërt i Vlorës duhet të përforcojë dhe të rrisë vlerat e monumentit ngjitur, jo ta hijezojë atë.

Turisti kulturor nuk vjen në Vlorë për të parë një arkitekturë copypaste që mund ta gjejë në dhjetëra qytete të botës; ai kërkon identitetin, shkallën e rrugëve dhe traditën e vendit. Sot po përballemi me një paradoks: në vend që Muzeu Etnografik dhe ndërtesat historike përreth të jenë protagonistët e peizazhit urban, po rrezikojmë t’i kthejmë ato në thjesht një sfond të arkitekturës së re.

Propozimi: Rijetëzim po, shpërfytyrim volumetrik jo!

Qëndrimi im si arkitekt është i qartë: Le të bëhet rijetëzimi i brendshëm i godinës dhe transformimi i saj në muze, por kjo duhet të realizohet pa shtuar volum të ri si kat shtesë dhe pa ndërtuar një objekt të ri në shesh që bllokon fushëpamjen e ansamblit të plotë.

Interesi i qytetit mbrohet duke i dhënë funksion të ri godinës, por pa cenuar e pa nxjerrë në hije monumentin kryesor etnografik (ish-Klubin Patriotik “Labëria” të Ismail Qemalit).

Si arkitekt dhe qytetar, mendoj se ky projekt meriton një rishikim serioz në raport me bërthamën historike, shkallën urbane dhe ruajtjen e perspektivave. Zhvillimi i qytetit është i domosdoshëm, por po aq e domosdoshme është të dimë çfarë nuk duhet të humbasim gjatë zhvillimit. Nëse e humbasim autenticitetin e këtij blloku, mund të fitojmë një kompleks modern, por kemi humbur pikërisht arsyen pse turisti vjen.

Kjo analizë erdhi pas një kërkese nga qytetarë të Vlorës, të cilët së fundmi janë të shqetësuar edhe për integritetin strukturor të monumentit nga frika e punimeve ngjitur – element për të cilin nuk mund të shprehem pa një studim të dedikuar gjeoteknik e inxhinierik.

Analiza ka për qëllim të ndihmojë debatin publik dhe të nxitë aktivizmin qytetar për të mbrojtur vlerat dhe identitetin tonë kulturor. Nëse ky shkrim ju duket me interes për publikun, ju ftoj ta shpërndani, të lini mendimin tuaj në komente dhe të bëheni pjesë e diskutimit. Faleminderit.

Related posts

Tragjedi në Alpet e Italisë, orteku vret çiftin e alpinistëve gjermanë!

admin

“Evropa nuk është më kontinent i paqes”- Zelensky para Parlamentit të Francës: Nazizmi po kthehet sërish, qytetet po shkatërrohen dhe fshatrat po bëhen hi, fatkeqësisht…

admin

“Qëndrimi ynë s’ka ndryshuar”, BE vijon paralajmërimet për urën e Ibrit: Veprimet e njëanshme të shmangen, Kosova duhet të dëgjojë aleatët

admin