NATO tha se Turqia, Finlanda dhe Suedia kanë rënë dakord “për vlerën afatgjatë të mekanizmit të përbashkët të përhershëm në luftën kundër terrorizmit dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë format”, transmeton Anadolu.
Të tri vendet ranë dakord gjithashtu të takohen përsëri përpara Samitit të Vilniusit në korrik, thuhet në një deklaratë të aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë: “Finlanda dhe Suedia kanë ndërmarrë hapa të paprecedentë për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë të Turqisë. Tani është koha që të gjithë aleatët të përfundojnë procesin e ratifikimit dhe të mirëpresin Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të plotë të Aleancës përpara Samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius”.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e tri vendeve diskutuan hapat konkretë të ndërmarrë për zbatimin e memorandumit trepalësh, i cili u nënshkrua qershorin e kaluar.
“Siç është rënë dakord në Memorandum, nuk ka kufizime të eksportit të armëve midis tyre; ata kanë përmirësuar ndjeshëm bashkëpunimin kundër terrorizmit; dhe Suedia tani është në procesin e shtrëngimit të legjislacionit kundër terrorizmit, përfshirë kundër PKK-së. Të gjithë pjesëmarrësit mirëpritën përparimin që është bërë”, thuhet në deklaratë.
Qershorin e kaluar, Turqia dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në samitin e NATO-s në Madrid për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë të Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në aleancë.
Memorandumi trajton shqetësimet e Turqisë, duke përfshirë eksportin e armëve dhe luftën kundër terrorizmit.
Vetëm Hungaria dhe Turqia nuk e kanë ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.