Autoritetet kosovare nuk kanë lejuar sot në Jarinjë të kalojë një automjet në të cilin kishte dinarë serb.
Mediat lokale në gjuhën serbe kanë raportuar sot se Banka Popullore e Serbisë ka thanë se fondet ishin të destinuara për të paguar pagat, pensionet, kontributet shoqërore dhe pagesat e tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci në një përgjigje me shkrim ka thënë se palës serbe u kanë sqaruar se nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare pa autorizim.
“Përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinjë se nëse mund të importojnë para. Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, ka thënë Stavileci për Telegrafin.
Siç raportojnë mediat në gjuhën serbe dinarët ishin të destinuar të transportohen në kasafortën e Bankës Kombëtare të Serbisë ne Leposaviq.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.
Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores të BQK-së për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një periudhe të tranzicionit gjatë muajit shkurt.