Presidenti rus, Vladimir Putin, do të zhvillojë një vizitë në kryeqytetin Bishkek të Kirgistanit për të marrë pjesë në samitin e fundit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), transmeton Anadolu.
Ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov, u tha gazetarëve se Putin do të shoqërohet nga një delegacion që përfshin kryediplomatin Sergey Lavrov, zv/kryeministrin Alexey Overchuk dhe zv/shefin e Administratës Presidenciale Maxim Oreshkin. Takimi dyditor do të nisë të hënën.
Ai tha se në samit do të diskutohet, ndër të tjera, forcimi i mëtejshëm i organizatës dhe ruajtja e bashkëpunimit në një sërë fushash, duke shtuar se Putin është planifikuar të zhvillojë nëntë takime dypalëshe në margjinat e takimit.
Ndër liderët e përmendur nga ndihmësi i Kremlinit janë presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, kryeministri Indian, Narendra Modi dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan.
“Takimi i SCO-së do të vendosë për kryesuesin e ardhshëm, me Republikën Islamike të Pakistanit që do ta marrë kryesimin menjëherë pas këtij samiti. Rastësisht, Rusia është e radhës për të marrë presidencën në vitet 2027-2028”, tha Ushakov.
Ai tha se rreth 20 deri në 25 dokumente po përgatiten për t’u nënshkruar në samit, përfshirë një deklaratë pas samitit, ndërsa në Bishkek do të mbahet gjithashtu një takim në formatin “SCO Plus”.
Ai shtoi se Putin më pas, të martën në mbrëmje, do të udhëtojë në qytetin Vladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë për të marrë pjesë në Forumin e 11-të Ekonomik Lindor dhe do t’i drejtohet seancës plenare të tij të mërkurën.
Ai po ashtu njoftoi se presidenti rus do të takohet me presidentin indonezian, Prabowo Subianto dhe zv/kryeministrin kinez, Ding Xuexiang, në margjinat e forumit.

