RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Në Beograd nis samiti i Ballkanit të Hapur

ne-beograd-nis-samiti-i-ballkanit-te-hapur

Në Beograd po mbahet takimi i ri në kuadër të Ballkanit të Hapur, ku po marrin pjesë zyrtarë nga shtetet e kësaj nisme, por edhe nga Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Hungaria dhe Turqia.

Ballkani i Hapur është nismë e përbashkët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që ka për synim lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes shteteve pjesëmarrëse.

Deri më tani, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina zyrtarisht nuk i janë bashkuar nismës, ndonëse përfaqësuesit e Bosnjës, për herë të dytë po marrin pjesë si të ftuar në takimet e kësaj nisme.

“Suksesi i këtij projekti varet shumë në atë se sa ne do ta konsolidojmë paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në nisjen e samitit.

Vuçiq së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, po kryesojnë këtë samit.

Vuçiq po ashtu tha se marrëveshjet e posaçme, në rast se ka ndalesa për eksportet e produkteve të caktuara, do të japin garanci se ndalesat nuk do të aplikohen për shtetet anëtare të Ballkanit të Hapur.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, që të njohin rëndësinë e këtij projekti. Është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë një grup punues për parandalimin e krizave, pasi që e dimë se një vjeshtë dhe dimër i vështirë po afrohen”, tha Vuçiq.

Në takimin e 2 shtatorit po marrin pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë e Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija. Po ashtu të pranishëm janë edhe kryediplomati i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ai i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

“Pavarësisht faktit se disa ende nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur, shpresoj që ne do të zhvillojmë bashkëpunimin më të suksesshëm të mundshëm”, theksoi presidenti i Serbisë.

Related posts

Arabia Saudite dënon Suedinë për lejimin e politikanit të ekstremit të djathtë të djegë Kuranin

admin

Vdes një person në Prizren, bie me veturë nga 10 metra lartësi

admin6

Mexhiti: Nuk pretendojmë të jemi në qeveri me çdo kusht

RTI