RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

Në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK kryhen dy operacione të rralla

ne-kliniken-e-neurokirurgjise-ne-qkuk-kryhen-dy-operacione-te-rralla

Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një metodë moderne dhe minimalisht invazive që përdoret në kirurgjinë e trurit.

Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrjet janë kryer më 6 dhe 7 korrik, në bashkëpunim me neurokirurgun nga Gjermania, dr. Gousias Konstantinos, i cili së bashku me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.

Gjatë kësaj vizite janë kryer me sukses dy ndërhyrje të avancuara kirurgjikale: heqja e një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe heqja e një tumori të ventrikulit të tretë të trurit, po ashtu me teknikën e neuroendoskopisë.

Në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një pajisje moderne që mundëson orientim të saktë anatomik gjatë ndërhyrjes. Sipas QKUK-së, përdorimi i kësaj teknologjie rrit sigurinë e procedurës dhe mundëson realizimin e operacioneve me precizion të lartë, sipas standardeve bashkëkohore të neurokirurgjisë.

Sipas SHSKUK-së, të dy pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit të ekipit mjekësor.

Përveç aspektit klinik, vizita e specialistit nga Gjermania pati edhe rëndësi profesionale dhe edukative për stafin e Klinikës së Neurokirurgjisë. Gjatë procedurave, neurokirurgët, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.

Related posts

Si t’ia bëni nëse halat e peshkut ju ngelin në fyt?

Muhamet Ramadani

Azerbajxhani do nisë dy avionë me ndihma për Turqinë, në njërin një spital fushor të pajisur plotësisht

admin

Mbi 31 persona të vrarë nga sulmet ruse, Zelensky paralajmëron: Do thërras takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

admin