Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se sipas të dhënave paraprake 100 persona kanë humbur jetën dhe 300 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ditën e sotme ndaj Libanit, transmeton Anadolu.
Në lajmin e agjencisë zyrtare libaneze NNA, paraqiten informacionet që Ministria libaneze e Shëndetësisë ka ndarë lidhur me sulmet e kryera nga Izraeli ndaj Libanit.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë, 50 persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ditën e sotme duke shënjestruar fshatra dhe qyteza në jug të Libanit.
Në mesin e të vdekurve dhe të plagosurve përfshihen gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësorë.
Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme të shumta ajrore në shumë rajone në jug dhe në lindje të Libanit gjatë gjithë natës. Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se në sulmet e mëngjesit të sotëm, në të cilat kanë marrë pjesë shumë avionë luftarakë, janë goditur mbi 300 “shënjestra”.
Ushtria izraelite më vonë u bëri thirrje civilëve në jug të Libanit që të evakuohen dhe të qëndrojnë larg shtëpive dhe ndërtesave që ajo pretendonte se i përkisnin Hezbollahut.