RTV AHIRETI
Lajme

Nepal, 68 të vdekur nga rrëzimi i avionit të pasagjerëve

nepal,-68-te-vdekur-nga-rrezimi-i-avionit-te-pasagjereve

Të paktën 68 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të avionit me 68 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në rajonin Pokhara në pjesën qendrore të Nepalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avioni i pasagjerëve i tipit “ATR 72” i kompanisë Yeti Airlines, i cili u nis nga kryeqyteti Katmandu në drejtim të Pokhara-s, është rrëzuar pranë luginës së Lumit Seti, raportoi Katmandu Post.

Zëdhënësi i kompanisë Sudarshan Bartaula ka thënë se avioni mbante 68 pasagjerë dhe ekuipazhin prej katër anëtarësh.

Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror, shihet se si flaka dhe tymi dilnin nga avioni që është rrëzuar në një zonë të pjerrët rrëzë Himalajeve.

Gaurav Gurung, një dëshmitar i aksidentit nga tarraca e shtëpisë së tij, ka deklaruar se avioni është kthyer fuqishëm në ajër gjatë uljes dhe ka goditur tokën me pjesën e përparme. Gurung ka thënë se avioni mori flakë pasi u rrëzua dhe vendi i ngjarjës u përfshi shpejt nga tymi.

Ndërkohë, Tek Bahadur K.C, një nga zyrtarët administrativë të rajonit Kaski, deklaroi se trupat e 68 personave janë gjetur në aeroplanin që u rrëzua pranë luginës së Lumit Seti, 1,6 kilometër nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pokhara-s.

Bahadur vuri në dukje se në vendin e ngjarjes po vazhdojnë aktivitetet për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

Në një deklaratë me shkrim nga Agjencia e Aviacionit Civil të Nepalit, bëhet e ditur se në bord gjendeshin edhe shtetas të huaj, përfshirë pesë indianë, katër rusë dhe dy koreano-jugorë, si dhe shtetas të Irlandës, Australisë, Argjentinës dhe Francës.

Sipas të dhënave të faqes online të monitorimit të trafikut ajror “Flightradar24.com”, avioni 15-vjeçar i tipit “ATR 72” që u rrëzua ishte i pajisur me një “transmetues me të dhëna jo të besueshme”.

Kryeministri i vendit aziatik, Pushpa Kamal Dahal, kërkoi nga forcat e sigurisë dhe popullata që të mbështesin përpjekjet e shpëtimit në rajon.

Qeveria vendosi të formojë një komitet prej pesë anëtarësh nën kryesimin e ministrit të Turizmit Nagendra Ghimire për të hetuar aksidentin.

Njoftohet dita e nesërme në të gjithë vendin është shpallur “ditë zie kombëtare” për shkak të aksidentit.

Related posts

Lideri i Katarit dënon ashpër agresionin e egër kundër palestinezëve.

RTI

I mbijetuari i Masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi: S’e kisha besu që vjen kjo ditë

rezart morina

Kosovë, qeveria do t’i mbështesë qytetarët në blerjen e pajisjeve elektrike efiçiente

admin