Apeli i shkrimtarit të famshëm izraelit ndaj bashkëqytetarëve të tij
Ekziston një fjalë hebraike që David Grossman e pëlqen veçanërisht: raz. Do të thotë sekret, thelb i fshehur që kërkon kohë, dëgjim dhe empati.
Kjo ide ishte në qendër të takimit në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino 2026, ku shkrimtari izraelit prezantoi kolanën “Meridiano Mondadori” kushtuar veprës së tij mbi dyzetvjeçare.
Kur gjejmë raz-in, shpjegon ai, “vetëm një fjalë në një libër mjafton për të parë një person ose një situatë në një dritë krejtësisht të ndryshme”. Për Grossmanin, letërsia lind nga aftësia për të parë botën përmes syve të tjetrit.
Çdo libër e ka ndryshuar dhe ka qenë prologu i tjetrit, duke synuar që edhe lexuesi të mbërrijë në faqen e fundit i transformuar, më i aftë për të kapur nuancat.
Është pikërisht kjo fjalë, “nuanca”, që ai ia kundërvë të tashmes: “Ne jetojmë në një botë bardh e zi, plot klishe. Detyra e shkrimtarit është të këmbëngulë në nuanca, në atë që rrezikon të zhduket”.
Kjo lidh letërsinë me paqen. Lufta e injoron individin dhe mendon në terma masash, ndërsa letërsia bën të kundërtën; ajo shkon drejt unikshmërisë së qenies njerëzore.
“Është e lehtë t’i dorëzohesh dëshpërimit apo urrejtjes. Shpresa, megjithatë, duhet gjeneruar duke iu kundërvënë dhunës dhe brutalitetit”- pohon ai.
I pyetur për të ardhmen e Izraelit, Grossman shpreh frikën se një fitore e re e së djathtës nën Benjamin Netanyahun do ta transformonte vendin në mënyrë të pakthyeshme: “Do të bëhej një vend ku do të ishte shumë e vështirë të jetosh, të rritësh fëmijë ose të imagjinosh një të ardhme”.
Tashmë, shumë izraelitë ndiejnë se po jetojnë në një shoqëri “gjithnjë e më mesianike dhe që e ka humbur arsyen”. Megjithatë, ai nuk mendon të largohet. Si pjesë e brezit që e pa lindjen e shtetit si mrekulli pas Holokaustit, ai thotë: “Momenti kur nuk do të mund të jetoja më në Izrael, do të ishte kur vendi do të pushonte së qeni demokraci”.
Ai vë në dukje edhe një kontradiktë të hidhur: “Ne jemi pushtues dhe formalisht një demokraci. Është një situatë anormale, konfuze dhe thellësisht e gabuar që duhet të marrë fund!”.
Edhe kur flet për të keqen, ai refuzon thjeshtësimet, sepse ajo na detyron të vëmë në dyshim instinktet dhe moralin tonë. Duke kujtuar veprat e tij, ai përmend reportazhin “Era e Verdhë” i botuar në mars 1987 mbi gjendjen në Bregun Perëndimor, pak para se të shpërtente Intifada e Parë.
Për të, ai projekt kërkonte guxim: “Duhej të hiqje dorë nga mekanizmat mbrojtës dhe të bërtisje atë që pe mjaftueshëm fort që të tjerët ta dëgjonin”.
Në fund, Grossman u ndal te brezat e rinj dhe përgjegjësia e tyre. Sot, kur racizmi po rifiton legjitimitet, të rinjtë kudo – nga Ukraina në Rusi, nga Jemeni në Izrael – duhet të parandalojnë rishfaqjen e urrejtjes. “Nëse duan të jetojnë një jetë të lirë, do të duhet të luftojnë për liri”- nënvizoi shkrimtari. tesheshi

