RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Netanyahu ndalon vizitat e kolonëve hebrenj në kompleksin e xhamisë Al-Aksa deri në fund të Ramazanit

netanyahu-ndalon-vizitat-e-koloneve-hebrenj-ne-kompleksin-e-xhamise-al-aksa-deri-ne-fund-te-ramazanit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur të ndalojë ndërhyrjet e kolonëve hebrenj në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar deri në fund të muajit Ramazan, transmeton Anadolu.

Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon të enjten e javës së ardhshme, më 20 prill.

Nga zyra e kryeministrit izraelit njoftuan se vendimi u mor pas një “vlerësimi gjithëpërfshirës” mbi situatën e sigurisë në të gjithë Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, së bashku me krerët e shërbimeve të sigurisë.

Vendimi thekson se vizitorëve dhe turistëve hebrenj u ndalohet “të shkojnë në Malin e Tempullit (kompleksi i xhamisë Al-Aksa) deri në fund të Ramazanit”.

Ben-Gvir, nga ana e tij, e përshkroi vendimin si një “gabim serioz që nuk do të sjellë paqe, por rrezikon të përshkallëzojë më tej situatën e sigurisë”.

Të martën e javës së kaluar, rreth 800 kolonë hebrenj u futën me dhunë në vendin e shenjtë nën mbrojtje të madhe nga forcat izraelite, për të shënuar festën e Pashës hebreje.

Tensionet u përshkallëzuan në territoret palestineze pasi forcat izraelite bastisën kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor dhe larguan me forcë besimtarët muslimanë nga atje.

Sulmet izraelite në xhami çuan në lëshimin e raketave nga Rripi i Gazës dhe Libani, me Izraelin që u kundërpërgjigj me granatime ajrore dhe artilerie.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë, ndërsa hebrenjtë, nga ana e tyre, e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve të lashtë hebrenj.

Gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa. Më pas, në vitin 1980, Izraeli aneksoi të gjithë qytetin, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Related posts

I dërguari gjerman për Kosovën: Kriteret e Serbisë për anëtarësimin në KiE s’janë tonat! Prishtina të bëjë gjithçka që mundet për t’i bindur ministrat

admin

Ministri i Jashtëm Osmani fillon vizitën dyditore në BeH, takohet me anëtarët e Presidencës

rezart morina

Përfundon samiti trepalësh Erdoğan-Zelenskyy-Guterres në Lviv

admin