Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pranoi se kishte një rënie të popullaritetit të Izraelit dhe administratës së tij në mesin e publikut amerikan, duke fajësuar ndryshimin në mediat sociale, transmeton Anadolu.
Opinioni publik ndaj Izraelit në SHBA është bërë gjithnjë e më negativ, sipas disa sondazheve të fundit, duke reflektuar shqetësimin në rritje për fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza. Një studim i korrikut nga Qendra Kërkimore “Pew” zbuloi se amerikanët janë bërë më kritikë ndaj popullit dhe qeverisë izraelite vitet e fundit.
Sondazhi tha se në vitin 2026, 42 për qind e amerikanëve e shihnin popullin izraelit në mënyrë të pafavorshme, nga 28 për qind në 2019. Pikëpamjet e favorshme të qeverisë izraelite ranë në 32 për qind nga 41 për qind në të njëjtën periudhë.
Në një intervistë për ABC News të lëshuar të mërkurën, Netanyahu tha: “Ka patur ndryshim për shkak të përhapjes së mediave sociale dhe faktit që vendet sovrane kanë manipuluar me ferma robotësh dhe gjëra të tjera”.
“Ne mund të shohim një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis përhapjes së mediave sociale dhe rënies së mbështetjes për Izraelin”, tha ai.
“A më shqetëson mua? Po. Dhe unë dua mbështetje dypartiake për Izraelin sepse mendoj se ky është një themel i sigurisë sonë kombëtare”, shtoi Netanyahu.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në nëntor 2024 lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, ku mbi 73 mijë palestinezë janë vrarë në një ofensivë brutale që nga tetori 2023. Izraeli ka vazhduar të sulmojë enklavën megjithë armëpushimin në tetor 2025.

