RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nga 1 tetori nis faturimi i ujit në veri

nga-1-tetori-nis-faturimi-i-ujit-ne-veri

Drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se procesi i shtrirjes së shërbimeve në katër komunat veriore po zhvillohet sipas planit, ndërsa ka njoftuar për interesim të madh të profesionistëve për t`u bërë pjesë e kompanisë.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se për 115 pozitat e hapura janë regjistruar mbi 900 aplikime.

“Fatmirësisht, thirrjes sonë, shpalljes së konkurseve dhe videomesazheve të kompanisë, por edhe të kryeministrit që ftoi profesionistët të aplikojnë, iu përgjigj një numër i madh i profesionistëve të fushës. Për 115 pozitat që kemi rekrutuar kemi pasur mbi 900 aplikime”, tha Kurti.

Ai vlerësoi punën e stafit të kompanisë dhe mbështetjen e institucioneve vendore e ndërkombëtare në realizimin e këtij procesi.

“Ka qenë një punë e jashtëzakonshme e stafit tonë dhe e një ekipi të shkëlqyeshëm në kompani. Mbështetje kemi pasur edhe nga Ministria e Ekonomisë, GIZ-i gjerman dhe Zyra e Bashkimit Evropian, dhe po e mbyllim këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se KRU “Mitrovica” ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për punonjësit, duke rritur pagat dhe përfitimet.

“Kushtet e punës në kompani janë mbi mesataren e Kosovës. Kemi rritur të hyrat e stafit për rreth 53 për qind, kemi rritur shujtën dhe kemi siguruar sigurim shëndetësor. Stafi është shumë i kënaqur. Me 115 punonjësit e rinj tashmë jemi një ekip prej rreth 380 punonjësish”, deklaroi ai.

Drejtori bëri të ditur se ka nisur edhe vendosja e ujëmatësve në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan, ndërsa institucionet në këto komuna tashmë kanë pranuar faturat e para.

“Faturat e para për institucionet në këto dy komuna i kemi dërguar në muajin maj dhe presim pagesat e para zyrtare. Më pas do të vazhdojmë me bizneset në të katër komunat veriore dhe faza e tretë do të jetë për amvisëritë”, tha Kurti.

Sipas tij, procesi i furnizimit me ujëmatës për pjesën veriore tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Me ndihmën e Ministrisë së Ekonomisë kemi përmbyllur procesin e tenderimit për blerjen e ujëmatësve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, nga 1 gushti do të fillojë vendosja e tyre edhe nëpër amvisëri. Ndërsa nga 1 tetori do të fillojë arkëtimi i pagesave edhe nga bizneset, edhe nga amvisëritë”, bëri të ditur ai.

Related posts

Parlamenti i Hungarisë shtyn seancën e votimit për pranimin e Suedisë në NATO

admin

Numri i viktimave nga Ebola tejkalon 1.000 në Kongo dhe Ugandë

RTI

Një fëmijë palestinez mbytet në ujërat me baltë që përmbytën tendën ku jetonte

admin