Artizanët e bakrit në kryeqytetin sirian, Damask, po i transformojnë gëzhojat e harxhuara të artilerisë, disa që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore, në vepra arti, duke i kthyer objektet që dikur simbolizonin luftën dhe shkatërrimin në shprehje shprese.
Gdhendja në bakër ka qenë prej kohësh pjesë integrale e trashëgimisë kulturore të Damaskut.
Artizanati lulëzoi gjatë periudhave mamluke dhe osmane gjatë shekujve u bë shenjë dalluese në pazaret historike të qytetit, veçanërisht në të famshmen Souq Hamidiye (Pazari Hamidije)
“Ne po përpiqemi të ngjallim shpresë”
“Dhimbja nuk harrohet kurrë. Plagët e lëna nga lufta vazhdojnë të jetojnë në zemrat e njerëzve. Por, me punën tonë, ne po përpiqemi të ngjallim shpresë”, thotë për Anadolu, gdhendësi sirian i bakrit, Enes al-Masri.
Ai tha se artistët synojnë të riformësojnë imazhin e lidhur me ato kujtime të dhimbshme.
“Ne po përpiqemi të transformojmë instrumentet e luftës në simbole të bukurisë dhe shpresës. Në këtë mënyrë, ne duam të tregojmë se njerëzit mund të kapërcejnë vuajtjet dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, thotë Al-Masri.
– “Ndihem i mërzitur kur punoj në një gëzhojë”
Al-Masri tha se ai e mësoi zanatin nga babai i tij në moshë të vogël dhe ka praktikuar gdhendjen e bakrit për rreth 25 vjet.
Ai shtoi se familja e tij më parë kishte një punëtori në Souq Hamidiye përpara se të zhvendosej në Bab al-Jabiya, një nga shtatë portat historike brenda mureve antike të Damaskut.
Vitet e fundit, ai është specializuar në gdhendjen e gëzhojave të vjetra të artilerisë, ku çdo pjesë zgjat rreth një javë. Veprat e tij paraqesin motive jasemini damasken, modele lulesh, vargje nga Kurani, shembuj të kaligrafisë arabe dhe dizajne tradicionale zbukuruese.
Al-Masri tha se puna në gëzhojat e artilerisë ngjall emocione të përziera.
“Ndihem i mërzitur kur punoj në një gëzhojë, sepse këto dikur përdoreshin për të vrarë fëmijë, gra dhe civilë dhe për të shkaktuar shkatërrim. Mundohem t’i kthej në vepra arti në mënyrë që kur njerëzit t’i shikojnë, ata të lënë pas ato kujtime të dhimbshme”, tha ai.
“Ne duam që njerëzit të shohin bukurinë dhe jetën, jo vdekjen dhe shkatërrimin, kur i shikojnë”, shtoi ai.

