RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ngrohja globale pritet të vështirësojë jetën e miliarda njerëzve

ngrohja-globale-pritet-te-veshtiresoje-jeten-e-miliarda-njerezve

Nëse ritmi aktual i ngrohjes globale vazhdon i pakontrolluar, do të shtyjë miliarda njerëz jashtë “zonës së përballueshme të klimës”- me temperatura ku njerëzit mund të gjallërojnë dhe do t’i ekspozojë ata ndaj kushteve të rrezikshme të nxehta, sipas një studimi të ri.

Studimi, i botuar në revistën “Nature Sustainability”, vlerësoi ndikimin tek njerëzit nëse bota vazhdon në trajektoren e saj të parashikuar dhe ngrohet 2.7 gradë celsius deri në fund të shekullit, krahasuar me temperaturat paraindustriale.

Duke marrë parasysh ngrohjen e pritshme globale dhe rritjen e popullsisë, studimi zbuloi se deri në vitin 2030 rreth dy miliardë njerëz do të jenë jashtë zonës së përballueshme të klimës, duke u përballur me temperatura mesatare prej 29 gradë celsius ose më të larta, me rreth 3.7 miliardë që do të jetojnë me këto ndryshime deri në vitin 2090.

“Riformësim i thellë”

Timothy Lenton, një nga dy autorët kryesorë të studimit, tha se një e treta e popullsisë globale mund ta gjejë veten duke jetuar në kushte klimatike që nuk mbështesin “lulëzimin njerëzor”.

“Ky është një riformësim i thellë i banueshmërisë së sipërfaqes së planetit dhe mund të çojë potencialisht në riorganizim në shkallë të gjerë të vendit ku jetojnë njerëzit”, tha Lenton, drejtor i Institutit Global të Sistemeve në Universitetin Exeter, në një video të shpërndarë nga instituti.

Sipas raportit, zona përbëhet nga vende ku temperatura mesatare vjetore shkon nga 13 gradë celsius në rreth 27 gradë celsius. Jashtë kësaj shtrirjeje kushtet priten të jenë shumë të nxehta, shumë të ftohta ose shumë të thata.

Studimi përcaktoi se ndërsa më pak se 1 për qind e popullsisë globale është aktualisht e ekspozuar ndaj nxehtësisë së rrezikshme, me temperatura mesatare prej 29 gradë celsius ose më të larta, ndryshimi i klimës ka vënë tashmë më shumë se 600 milionë njerëz jashtë kësaj zone.

“Shumica e këtyre njerëzve jetonin pranë pikut më të ftohtë 13 gradë celsius dhe tani janë në ‘tokën e mesme’ midis dy majave. Megjithëse nuk janë jashtëzakonisht të nxehta, këto kushte priren të jenë shumë më të thata dhe nuk kanë mbështetur historikisht popullata të dendura njerëzore”, tha bashkautori i studimit Chi Xu, profesor në Universitetin e Nanjing.

Nëse Toka ngrohet për 2.7 gradë celsius, India, Nigeria, Indonezia, Filipinet dhe Pakistani do të ishin pesë vendet kryesore me popullsinë më të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të nxehtësisë, zbuloi studimi.

E gjithë popullsia e disa vendeve, si Burkina Faso dhe Mali, si dhe ishujt e vegjël tashmë të rrezikuar nga rritja e nivelit të detit do të përballen me temperatura të larta të pashembullta.

Skenarët e frikshëm

Në skenarët më të këqij, nëse Toka ngrohet me 3.6 apo edhe 4.4 gradë celsius deri në fund të shekullit, gjysma e popullsisë së botës do të ishte jashtë zonës së përballueshme klimatike, duke përbërë atë që raporti e quan “një rrezik ekzistencial”.

Sipas raportit, të jetuarit jashtë zonës mund të çojë në rritje të shkallës së vdekshmërisë, pasi ekspozimi ndaj temperaturave mbi 40 gradë celsius mund të jetë vdekjeprurës, veçanërisht nëse lagështia është aq e lartë sa trupi nuk mund të ftohet më në një temperaturë që mund të ruajë funksionet normale.

Nxehtësia ekstreme parashikohet gjithashtu të ulë rendimentet e të korrave dhe të rrisë konfliktin dhe përhapjen e sëmundjeve.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ngrohja përtej 1.5 gradë celsius do të rezultonte në ndryshime katastrofike dhe potencialisht të pakthyeshme. Ndërsa zonat brenda zonës klimatike zvogëlohen ndërsa temperaturat globale rriten, një pjesë më e madhe e popullsisë do të ekspozohet më shpesh ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë thatësirat, stuhitë, zjarret dhe valët e të nxehtit.

Koha e fundit për aksion

Ekspertët thonë se ka ende kohë për të ngadalësuar ritmin e ngrohjes globale duke hequr dorë nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit dhe me kalim drejt energjisë së pastër, por dritarja po mbyllet.

Çdo pjesë e një përpjekjeje të madhe do të bënte ndryshim, tha Lenton. “Për çdo 0.1 gradë celsius të ngrohjes mbi nivelet aktuale, rreth 140 milionë njerëz më shumë do të ekspozohen ndaj nxehtësisë së rrezikshme”.

Në fillim të këtij muaji Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se brenda pesë vjetëve të ardhshëm ka një shans 66 për qind që temperatura e planetit të jetë më shumë se 1.5 gradë celsius më e ngrohtë se nivelet paraindustriale për të paktën një vit.

“Ne e kemi lënë kaq vonë për të trajtuar siç duhet ndryshimet klimatike, saqë jemi tani në një pikë që për të arritur shkallën e ndryshimit që na nevojitet do të thotë diçka si një përshpejtim i pesëfishuar i reduktimit të emetimeve të gazeve serrë ose dekarbonizimit te ekonomia globale”, tha Lenton. /koha

Related posts

Forcat izraelite arrestuan 16 palestinezë në Bregun Perëndimor

admin

Hamasi do të vazhdojë negociatat për armëpushim në Rripin e Gazës

admin6

I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, bosi i mafies pendohet pas 26 vitesh! Kush është anëtari i Camorra-s, i njohur si “Sandokan”! Ruan sekrete të rëndësishme

admin