Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj trembëdhjetë të pandehurve në rastin “TOTO”, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 05.10.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 05.11.2022.
Me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura, posaçërisht nga procesverbalet e kontrollit mbi sekuestrim të përkohshëm të sendeve, telefona dhe pajisje elektronike, makinë për numërim të parave, para të gatshme euro, franga zvicerane, narkotikë, armë, foto, dokumentacione dhe procesverbalet e marrjes në pyetje pranë policisë, nga të gjitha këto prova dhe të tjera, rrjedh dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Caktohet masa e paraburgimit ndaj trembëdhjetë (13) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale në rastin “TOTO”
Prizren, 10 tetor 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 05.10.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 05.11.2022 ndaj trembëdhjetë (13) të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale si në vijim:
1. S.K.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
Fajdeja
2. P.K.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
3. S.G.,
Fajdeja
Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge
4. L.B.,
Fajdeja
Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
Sulmi
Fajdeja
Detyrim
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,
5. I.K.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
6. V.T.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
7. B.K.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
8. D.K.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
9. A.G:,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
10. A.D.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
11. H.Xh.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
12. A.S.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
13. E.G.,
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë – posaçërisht nga procesverbalet të kontrollit mbi sekuestrim të përkohshëm të sendeve, telefona dhe pajisje elektronike, makinë për numërim të parave, para të gatshme Euro, Franga Zvicerane, Narkotikë, Armë, foto dokumentacione procesverbalet e marrjes në pyetje pranë Policisë, nga të gjitha këto prova dhe të tjera, rrjedh dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprave penale të cilat janë në ngarkim të të pandehurve, rrethanat dhe mënyrat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, ashtu që të pandehurit dyshohen se në vazhdimësi në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme kanë organizuar lojëra të fatit përmes platformave online, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i shmangies nga përgjegjësia penale.
Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se faza hetimore është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të dëgjohen dëshmitarë, të dëmtuar dhe të identifikohen edhe dëshmitarë të tjerë, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ndikimit në prova dhe deklarata të dëshmitarëve, është konstatim i Gjykatës se nëse të pandehurit lihen në liri mund të krijohen rrethana që të pandehurit të i ikin përgjegjësisë penale, pasi që veprat penale dyshohen ti kenë kryer në bashkëkryerje.
Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, arratisjes së të pandehurve, dhe zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.