RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Një “NATO islame” në horizont?

nje-“nato-islame”-ne-horizont?

Ç’pritet të sjellë pakti ushtarak Turqi-Arabi Saudite-Pakistan

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani pritet të nënshkruajnë sot në Xhedah një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, e cila po cilësohet nga analistët si hapi më i rëndësishëm drejt krijimit të një strukture të ngjashme me një “NATO islame”.

Në samitin e nivelit të lartë do të marrin pjesë princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.

Sipas burimeve të afërta me qeverinë saudite, ideja është diskutuar prej kohësh, por zhvillimet e fundit në rajon, sidomos lufta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kanë përshpejtuar arritjen e marrëveshjes.

Konfliktet e vazhdueshme në Gaza, tensionet në Detin e Kuq dhe pasiguria në Ngushticën e Hormuzit kanë shtyrë tre vendet të afrohen më shumë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Dokumenti pritet të garantojë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, organizimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, zhvillimin e teknologjive të reja të mbrojtjes dhe forcimin e industrisë së armëve.

Në praktikë, secili prej tre shteteve do të sjellë në aleancë avantazhet e veta strategjike. Arabia Saudite do të ofrojë burime financiare dhe ndikim politik në botën arabe, Turqia do të kontribuojë me industrinë e saj ushtarake dhe teknologjinë e dronëve, ndërsa Pakistani do të shtojë përvojën e forcave të tij të armatosura dhe statusin e vet si e vetmja fuqi bërthamore e botës islame.

Megjithatë, ndikimi i kësaj marrëveshjeje mund të shkojë shumë përtej një bashkëpunimi të zakonshëm ushtarak.

Nëse pakti konsolidohet, ai mund të krijojë një bosht të ri politik dhe strategjik, të aftë për të konkurruar me ndikimin amerikan, iranian dhe izraelit në rajon.

Për Arabinë Saudite, kjo do të thotë një garanci më e madhe sigurie pa u mbështetur plotësisht te Uashingtoni. Për Turqinë, aleanca do të përfaqësonte një mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj nga Mesdheu deri në Azinë Jugore. Ndërsa Pakistani do të fitonte një rol shumë më të rëndësishëm në politikën e Lindjes së Mesme.

Nga ana tjetër, krijimi i një blloku të tillë mund të shkaktojë reagime të forta. India po e ndjek me vëmendje situatën, për shkak të rivalitetit të saj historik me Pakistanin dhe marrëdhënieve të tensionuara me Turqinë.

Ekspertët besojnë se Nju Delhi mund të intensifikojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatët e tjerë rajonalë.

Një pikëpyetje tjetër lidhet me Iranin. Edhe pse marrëveshja nuk e përmend drejtpërdrejt Teheranin, shumë analistë e konsiderojnë atë si një përpjekje për të frenuar ndikimin iranian në rajon.

Ndoshta vendi që po e ndjek me më shumë shqetësim këtë zhvillim është Izraeli. Bashkimi i kapaciteteve financiare saudite, teknologjisë ushtarake turke dhe arsenalit bërthamor pakistanez mund të krijojë një kundërpeshë të re strategjike në rajon.

Edhe pse Arabia Saudite dhe Izraeli kanë ruajtur kontakte të kujdesshme vitet e fundit, afrimi i Riadit me Ankaranë dhe Islamabadin mund të rrisë ndjeshëm pasigurinë në Tel Aviv, sidomos nëse kjo aleancë do të shndërrohej në një bllok të mirëfilltë politik dhe ushtarak.

Po aq i rëndësishëm është edhe fakti se pakti bashkon tri shtete me interesa të ndryshme dhe me vizione jo gjithmonë të përputhshme.

Pikërisht për këtë arsye, mbetet ende e paqartë nëse kemi të bëjmë me lindjen e një arkitekture të re sigurie apo thjesht me një koalicion të përkohshëm të krijuar nga krizat e momentit.

Megjithatë, një gjë duket e sigurt: Lindja e Mesme po hyn në një fazë të re, ku aleancat tradicionale po riformësohen me një shpejtësi të paprecedentë. tesheshi

Related posts

Bashkëshortja e Sami Hamdit kërkon lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi në SHBA

RTI

Roja bregdetare: Shpëtohen mbi 1.000 migrantë, arrijnë në portet italiane

admin

Trump mban fjalimin e parë pas aktakuzës: Nuk do të arrestohem

Muhamet Ramadani