Një lajm që kumtohet thjesht dhe çiltërsisht nga një klerik katolik
Një lajm po qarkullon orët e fundit në rrjete, ai i hapjes së një vendfaljeje për muslimanët në Vatikan.
Referimi vjen nga statusi në rrjete i një figure klerikale katolike, At Chris Vorderbruggen.
Ai shkruan:
“Nuk e kuptoj pse duhet t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje sërish, por po e sqaroj: Sepse ka studiues muslimanë që punojnë rregullisht në bibliotekë. Myslimanët falen pesë herë në ditë me një orar shumë strikt. Lutja e tyre nuk bëhet thjesht duke ndenjur ulur e në qetësi; ajo përfshin lëvizje fizike dhe fjalë që duhen thënë me zë. Studiuesit kërkuan nëse mund të kishin një dhomë ku të faleshin pa penguar vizitorët e tjerë të bibliotekës. Vatikani pranoi dhe u vuri në dispozicion një hapësirë të vogël”.
Gjithsesi, ky zhvillim nuk pasqyrohet në faqen kryesore të lajmeve nga Vatikani – Vatican News. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jetë i vërtetë, pasi mund të jetë zgjedhje e vetë drejtuesve të kryqendrës botërore të Katolicimit për të mos ndarë doemoes me publikun.
Por kush janë ata muslimanë që studiojnë në Vatikan?
Vite më parë një i tillë ka qenë një shqiptar, Rezart Bega nga Tirana, i angazhuar me shkencat krahasuese mes besimeve. Ndryshe, me ballafaqimin e doktrinave ose burimeve doktrinore, me qëllim shkuarjen te e vërteta e kulluar se cila prej tyre është bartëse dhe përcjellëse e kumtit hyjnor origjinal të Zotit për njerëzit. Siç dihet, muslimanët kanë si kredo të tyre më të fortë faktin e Islamit si urdhëresa finale e Zotit për njerëzit, përcjellë nga i fundit Profet, Muhamedi (a.s.).
I biri i ish-aktorit të njohur të humorit Met Beka, ai konsiderohet si Ahmed Deedat-i shqiptar. Deedat-i ishte një gjeni i ballafaqimit fetar, një ish-i krishterë i kthyer në musliman nga Afrika e Jugut, i cili zotëronte një dije të gjithashme biblike, pasuar nga një dije po aq e gjithashme kuranore, gjë që i jepte aftësi të jashtëzakonshme ballafaquese për të kumtuar në finale se cili besim bartte të vërtetën hyjnore. Ai e bënte këtë nëpërmjet dialogut të hapur me të krishterë, klerikë apo besimtarë të thjeshtë, në audienca të mëdha, duke bërë që shumë prej tyre të kalonin në Islam.
Rezart Beka është zotërues i një prej faqeve më akademike të botës së besimit, me thelb ballafaqimin doktrinor – erasmusi.org. /tesheshi

