RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2022 rritet për 45 për qind

numri-i-gazetareve-te-vrare-ne-vitin-2022-rritet-per-45-per-qind

Fushata Emblema e Shtypit (Press Emblem Campaign-PEC) ka bërë të ditur se numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është 115, që paraqet një rritje prej 45 për qind krahasuar me vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave, kjo paraqet numrin më të lartë të viktimave që nga viti 2018.

Në të njëjtën kohë, 533 gazetarë apo 13,4 për qind më shumë se vitin e kaluar, janë aktualisht të ndaluar në mbarë botën, thuhet në përmbledhjen vjetore lidhur me dhunën dhe abuzimet ndaj gazetarëve të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufi (RSF).

Ukraina dhe Meksika ishin vendet më të rrezikshme për punën e mediave këtë vit, tha organizata PEC me seli në Gjenevë në raportin e saj vjetor.

Që nga janari, 115 punonjës të medias janë vrarë në 29 vende të botës.

“Numri i gazetarëve të vrarë u rrit me 45 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kur u regjistruan 79 viktima. Është numri më i madh i viktimave që nga viti 2018, me një përkeqësim brutal në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë”, tha presidenti i organizatës PEC, Blaise Lempen.

Amerika Latine gjithashtu e pasigurt

Sipas rajoneve, Amerika Latine është e para me 39 gazetarë të vrarë, e ndjekur nga Evropa me 37 viktima, Azia me 30, Afrika me shtatë dhe Amerika e Veriut me dy.

Evropa përjetoi përkeqësimin më të keq të sigurisë së gazetarëve që nga luftërat në ish-Jugosllavi nga viti 1992 deri në 1999.

“Në Ukrainë, është e vështirë të përcaktohen rrethanat e sakta të vdekjes së gazetarëve në mungesë të një hetimi të pavarur, por PEC numëroi 34 viktima që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt”, tha PEC.

Të paktën tetë gazetarë u vranë në krye të detyrës dhe dy të tjerë në granatimet ruse ose krime të tjera, dhe të paktën 14 si luftëtarë në ushtrinë ukrainase.

Ndër 34 viktimat në Ukrainë, tetë ishin të huaj.

Pas Ukrainës, Meksika ishte shteti më i rrezikshëm me 17 viktima, numri më i lartë vjetor i vdekjeve që të paktën në 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, Kina, “ku censura dhe survejimi kanë arritur nivele ekstreme”, vazhdon të jetë shteti me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, me gjithsej 110 të ndaluar aktualisht, tha RSF.

RSF tha gjithashtu se kurrë më parë nuk kishte parë kaq shumë gazetare në paraburgim. Gjithsej 78 gazetare janë të ndaluara aktualisht, një rritje rekord prej gati 30 për qind krahasuar me vitin 2021.

Related posts

Ushtria e Shqipërisë dislokohet në Kukës, në gjendje gatishmërie për Kosovën pas vërshimeve

admin

Osmani falënderon Menendezin për diskutimet në Senat

admin

Aksion i Policisë në Shqipëri: Mbi 200 të të arrestuar sekuestrohet kokainë e para

rezart morina